Ky është boksieri shqiptar që vrau partneren dhe më pas veten në Greqi

Një 45-vjeçare, e identifikuar si Lulieta Obzova, dhe partneri i saj shqiptar, Altin Allmuça, kanë humbur jetën në një ngjarje të rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Athinë.
Sipas informacioneve paraprake të raportuara nga mediat, dyshohet se mes çiftit ka pasur një konflikt përpara ngjarjes. Autoritetet greke po hetojnë rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja.
Në vendngjarje janë gjetur edhe një armë zjarri, ndërsa policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të pallatit, të cilat pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Nga të dhënat paraprake, dy personat kishin një marrëdhënie sentimentale dhe nuk rezultojnë të kenë qenë të martuar.
Sipas burimeve, Allmuça merrej me sportin e boksit.
Policia greke ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivin e ngjarjes, ndërsa pritet që të dhënat zyrtare të autoriteteve të japin më shumë informacion.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në zonën ku jetonte 45-vjeçarja, ndërsa hetimet vijojnë.