Drejtësia nuk duhet të ndëshkojë

Nga Ilir Beqaj

Ndoshta po i kushtoj më shumë rëndësi seç duhet një fjale. Por fjalët kanë kuptim. Dhe, kur shqiptohen nga njerëz që ushtrojnë pushtet, kanë edhe peshë.

Ministri i Brendshëm, duke folur për arrestimin e një personi të dyshuar për zjarrvënie, deklaroi se “drejtësia duhet të ndëshkojë zjarrvënësit”.

Mua më tërhoqi vëmendjen folja: “të ndëshkojë”.

Gjuha shqipe ka edhe foljen “dënoj”. Dhe “dënoj” e “ndëshkoj” nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.

Në një shtet të së drejtës, një person dyshohet, hetohet, akuzohet, gjykohet dhe, nëse gjykata e gjen fajtor, dënohet. Dënimi është pasojë juridike e një vendimi gjyqësor. Ka ligj, procedurë, prova, mbrojtje dhe, në fund, vendim.

Ndëshkimi mbart diçka tjetër.

Ai evokon edhe idenë e shpagimit: dikush ka bërë keq dhe duhet ta pësojë. Është një koncept që e gjejmë prej shekujsh në kulturën morale e religjioze, në marrëdhëniet e autoritetit dhe të disiplinës, si dhe në një konceptim të drejtësisë ku pushteti demonstronte forcën duke ndëshkuar fajtorin.

Shteti modern është përpjekur pikërisht ta kapërcejë këtë marrëdhënie. Ai nuk hakmerret dhe nuk kërkon vuajtjen si qëllim në vetvete. Ai heton, gjykon dhe dënon sipas ligjit.

Prandaj, kjo fjalë më shqetëson edhe më shumë kur përdoret nga Ministri i Brendshëm, aq më tepër nga një politikan që, deri pak muaj më parë, ka ushtruar edhe detyrën e Ministrit të Drejtësisë.

Le të imagjinojmë një punonjës policie që dëgjon ministrin e vet të thotë se të arrestuarit duhen “ndëshkuar”.

Polici përballet çdo ditë me njerëz që mund të kenë kryer krime të rënda. Por përballë tij është një person që, juridikisht, është ende i dyshuar, jo një fajtor i dënuar. Policia nuk ka për detyrë ta ndëshkojë. Ka për detyrë të parandalojë krimin, të zbatojë ligjin, të mbledhë provat dhe të respektojë të drejtat e personit që ka përballë.

As prokurori nuk ndëshkon. Ai heton dhe akuzon.

Gjykata gjykon dhe, kur provat dhe ligji e kërkojnë, dënon.

Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Por integrimi europian nuk është vetëm harmonizim ligjesh dhe kapituj negociatash. Është edhe kulturë e ushtrimit të pushtetit.

Mund të duket një dallim i vogël gjuhësor. Por ndoshta pikërisht këto dallime tregojnë mënyrën se si e konceptojmë drejtësinë.

Nga “duhet ndëshkuar” te “duhet gjykuar sipas ligjit” ka vetëm pak fjalë diferencë.

Por ndërmjet tyre mund të qëndrojë një kulturë e tërë e shtetit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT