Alarmi dhe frika për “Ethet e Nilit” pas rastit në Korçë, ISHP: Virusi nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu, por vetëm nga mushkonjat!

Rasti i parë me Ethet e Nilit Perëndimor në Shqipëri është regjistruar në Korçë, ku një 72-vjeçar është infektuar nga virusi dhe ndodhet i shtruar në spital, ku po merr trajtimin mjekësor.

Epidemiologia Adela Vasili, nga Instituti i Shëndetit Publik, ka dhënë detaje lidhur me rastin, duke theksuar se deri më tani nuk janë konfirmuar raste të tjera, as nuk ka raste të dyshuara.

Po ashtu ajo ka bërë me dije se sëmundja transmetohet përmes mushkonjave bartëse të virusit që e marrin nga zogjtë apo kuajt e infektuar.

“Nuk kemi raste të tjera të konfirmuara apo të dyshuara me Ethet e Nilit Perëndimor. Ethet e Nilit është një sëmundje që transmetohet përmes mushkonjave bartëse të virusit që e marrin nga zogjtë apo kuajt e infektuar. Dyshohet se i moshuari është infektuar si pasojë e pickimit të një mushkonje, pasi ai nuk ka udhëtuar jashtë vendit. Ajo transmetohet vetëm nga mushkonjat dhe jo nga njeriu tek njeriu,” u shpreh ajo.

Bëhet me dije se i moshuari fillimisht ka shfaqur probleme shëndetësore dhe i është drejtuar Spitalit të Korçës, ku analizat konfirmuan praninë e virusit në trupin e tij.

Deri më tani, ky mbetet i vetmi rast i identifikuar në Shqipëri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT