Një kamion me drogë dhe hileja e mediave qeveri-opozitë kundër SPAK

Rreth 1.3 ton kokainë janë sekuestruar pasditen e sotme në një magazinë të madhe frutash në fshatin Krushopek të Komunës së Sarajit në Maqedoninë e Veriut.

DEA dhe autoritetet italiane, prej ditësh ndiqnin hetimet dhe rrugën e kamionit me banane, ndërsa ai ka kaluar edhe në Shqipëri.

Informacioni i klasifikuar ishte përcjellë nga DEA edhe te SPAK, si e vetmja strukturë që gëzon besimin e amerikanëve.

Sipas planit të përbashkët DEA-SPAK kamioni është lejuar të kalojë në Shqipëri nën monitorim.

Kjo për të kuptuar nëse lënda narkotike kishte lidhje me grupet kriminale shqiptare.

Rezultoi se kokaina e nisur nga Amerika Latine me kamion bananesh pasi ka zhvilluar itinerarin Itali-Bar të Malit të Zi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut kishte destinacion final Koper-in, në Slloveni.

Kamioni hyri nga pika doganore e Hanit të Hotit në Shkodër dhe më pas doli nga pika kufitare në Pogradec.

Më herët autoritetet italiane e kanë zëvendësuar pjesën më të madhe të kokainës me lëndë tjetër.

Ky është lajmi, i cili u përhap fillimisht nga një TV afër kryeministrit Rama.

Por bën përshtypje fakti që ky TV e më pas disa media dhe portale afër qeverisë dhe opozitës e kanë shpërndarë lajmin me një titull që për shumicën e lexuesve hedh dyshime mbi SPAK.

Titujt e këtyre portaleve synojnë të impikojnë SPAK si bashkëpunëtor me trafikimin e jo me gjurmimin.

Hileja që kanë përdorur me titullin forcon dyshimet që sulmet e kohëve të fundit kundër SPAK që po gjejnë terren lehtësisht si në mediat e qeverisë ashtu dhe ato të opozitës janë të koordinuara dhe të qëllimshme.

Po ravijëzohet një përpjekje e dukshme për ta denigruar strukturën e investuar fort nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht nga amerikanët.

Paralelisht me këtë ekziston edhe një përpjekje dinake për ta paralizuar SPAK.

Dosjet e ashtuquajtura të OFL po e mbysin strukturën e posacme me dosje që janë hetuar e gjykuar, por që mbi të gjitha ngarkojnë prokurorët e strukturës me çështje krimnelësh ordinerë, ndërkohë që pritshmëritë e publikut nga SPAK janë krejt të tjera.

Ato kanë të bëjnë me hetimet e politikanëve të lartë të të dy palëve nga ata të përfshirë në krime të rënda deri në urdhëra për vrasje para 2013 tek ata të përfshirë në krime ekonomike në shifra katastrofale gjatë viteve të fundit.

Një burim nga institucionet e reja të Reformës në Drejtësi tha në kushte anonimati sot për DITA se “strategjia për të paralizuar SPAK nëpërmjet lumit të dosjeve të së ashtuquajturës KÇK” është e dukshme dhe e qartë.

Ambasadorja amerikane pas takimeve me Metën, Ramën e Bashën deklaroi sot se SHBA i ka ata nën vëzhgim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT