Kërkojnë të ndryshojnë rrjedhën e lumit Ibër, pasi BE-ja i “tërhoqi veshin” edhe SHBA ka kritika për Serbinë

Pas reagimit të Bashkimit Evropian i cili tha se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen, është bërë një reagim edhe nga SHBA.
Departamenti Amerikan i Shtetit, ka theksuar se paqja dhe stabilitieti në Ballkanin Perëndimor janë prioritetet e Shteteve të Bashkuara.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për REL.
Kujtojmë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës. Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.