“E sheh partinë të dobësohet dhe është ende aty”, gazetari Çim Peka për Sali Berishën: Nuk është detyra e gazetarëve t’i tregojnë liderit të opozitës se si ndërtohet partia

Gazatari Çim Peka me anë të një shkrimi në rrjete sociale e ka krahasuar Kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha me ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, duke theksuar se ndryshe nga Rugova që vdiq ende në krye të partisë së tij, Berisha rrezikon ta shohë Partinë Demokratike të dobësohet ndërkohë që ai vetë mbetet aktiv politikisht.

Sipas gazetarit, Berisha ka arritur të fitojë betejën e tij personale për mbijetesë politike përballë sulmeve institucionale dhe izolimit, por kjo fitore individuale nuk është e mjaftueshme, sepse sot sfida është që vetë opozita, jo vetëm lideri i saj, të fitojë.

Ai theksoi se një parti nuk mund të ndërtohet mbi zhurmë, personazhe pa peshë politike apo “idiotë të dobishëm”, por kërkon një strukturë të fortë e funksionale që e shndërron rezistencën dhe revoltën qytetare në fitore reale elektorale, pasi zgjedhjet fitohen nga struktura dhe jo vetëm nga vitrina.

Çim Peka shkruan:

Berisha perballe Rugoves, njeri apo te dy!

Për mua, dy figurat politike më komplekse, por edhe më të kompletuara të këtyre 3-4 dekadave në trojet shqiptare, mbeten Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha. Dy personalitete krejt të ndryshme në stil, temperament dhe mënyrën e ushtrimit të lidershipit, por që arritën diçka që shumë pak politikanë shqiptarë e kanë arritur: të bëhen më të mëdhenj se partitë që drejtuan.

Rugova vdiq përpara se t’i vdiste partia. Berisha, paradoksalisht, rrezikon të përjetojë të kundërtën: ta shohë partinë të dobësohet ndërsa ai është ende aty.

Dhe kjo nuk mund të shpjegohet pa atë që i ka ndodhur opozitës shqiptare në këto vite. Berisha është përballur me një ofensivë politike dhe institucionale të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit. U shpall politikisht i mbaruar, u izolua, u godit dhe u tentua të nxirrej jashtë skenës. Megjithatë, ai arriti të mbijetojë politikisht, të rimarrë kontrollin e partisë së tij dhe të fitojë betejën për ekzistencën e vet politike.

Por këtu mbaron beteja personale e Sali Berishës dhe fillon problemi i Partisë Demokratike.

Sepse sot nuk mjafton që Berisha të ketë mbijetuar. Duhet të mbijetojë dhe të fitojë opozita.

Për herë të parë në 35 vjet pluralizëm, po shohim një fenomen që duhet lexuar me shumë kujdes: sheshi nuk është më ekskluzivitet i opozitës zyrtare. Ka qytetarë që protestojnë, reagojnë dhe kundërshtojnë pushtetin, por që nuk identifikohen domosdoshmërisht me strukturën politike që duhet ta përfaqësojë këtë revoltë.

Ky është njëkohësisht alarmi dhe mundësia më e madhe për opozitën.

Berisha e fitoi betejën e tij kundër një bote që, në një moment, dukej e gjitha kundër tij. Tani duhet të gjejë mënyrën që të fitojnë demokratët. Si? Nuk e di. Dhe, në fund të fundit, nuk është detyra e gazetarëve t’i tregojnë liderit të opozitës se si ndërtohet partia dhe si fitohet pushteti. Lideri është ai.

Ne, gazetarët që nuk u shitëm dhe nuk u shantazhuam, kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë. Kaq kemi në dorë.

Por një gjë mund të thuhet me siguri: një parti që synon pushtetin nuk mund të ndërtojë vitrinën e saj politike me personazhe apolitikë, me njerëz pa peshë elektorale apo, edhe më keq, me “idiotë të dobishëm” që mund të prodhojnë zhurmë, por jo alternativë.

Sepse zhurma nuk është politikë. Mikrofoni nuk është lidership. Dhe revolta qytetare nuk shndërrohet vetvetiu në votë.

Këtu qëndron sfida reale e Berishës: jo të dëshmojë edhe një herë se është politikisht i pathyeshëm, por të ndërtojë mekanizmin që e kthen rezistencën e tij personale në fitore politike për demokratët.

Mund t’i rregullosh në mënyrë perfekte dhëmbët e parë, ata që duken në fotografi. Por nëse lë pa kuruar dhëmbët e dytë dhe të tretë, goja nuk funksionon.

Edhe një parti është kështu.

Vitrina mund të të japë imazhin. Por zgjedhjet t’i fiton struktura.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT