Tërmeti me 254 viktima në Kolumbi, reagon MEPJ: Nuk ka raportime për shqiptarë të vdekur apo të plagosur

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek situatën në Kolumbi pas tërmetit me magnitudë 7.4, ndërsa deri tani nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të vdekur apo të plagosur.
Tërmeti goditi Kolumbinë më 10 gusht 2026, me epiqendër pranë San Jose del Palmar, në pjesën perëndimore të vendit.
Sipas të dhënave më të fundit të raportuara nga autoritetet, tërmeti ka shkaktuar 254 viktima dhe mbi 570 të plagosur. Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimi i dëmeve vijojnë në zonat e prekura, ndërsa bilanci mbetet në përditësim.
MEPJ, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, e cila mbulon edhe Kolumbinë, është në kontakt me autoritetet përkatëse kolumbiane dhe po verifikon në vijimësi situatën e shtetasve shqiptarë që ndodhen në vend.
“Deri në këto momente, nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të vdekur apo të plagosur si pasojë e tërmetit”, bën me dije ministria.
Po ashtu, sipas informacionit të marrë deri tani, nuk rezultojnë dëmtime nga tërmeti në institucionet penitenciare ku ndodhen shtetas shqiptarë që vuajnë dënimin në Kolumbi apo që janë në pritje të procedurave të ekstradimit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada shqiptare në Brazil vijojnë komunikimin me autoritetet kolumbiane dhe verifikimin e informacionit mbi gjendjen e shtetasve shqiptarë.
MEPJ u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Kolumbi dhe kanë nevojë për asistencë konsullore si pasojë e tërmetit, të kontaktojnë numrin e emergjencës së Ambasadës së Shqipërisë në Brazil: +55 61 99301 6139.