Bregu Perëndimor në ‘pikë kritike’/ Arrestime, bastisje e shembje banesash nga Izraeli

Forcat izraelite kanë vijuar arrestimet, bastisjet dhe shembjet e banesave në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se situata në këtë territor ka arritur në një “pikë kritike”.

Vetëm të martën, të paktën 23 palestinezë u arrestuan, mes tyre edhe dy fëmijë, ndërsa disa familje u zhvendosën pas prishjes së banesave dhe strukturave të tjera.

Sipas agjencisë palestineze Uafa, 11 persona u arrestuan në zonën e Jeninit dhe pesë të tjerë në zonën e Betlehemit. Në Luginën veriore të Jordanit u arrestua edhe një burrë teksa kulloste bagëtinë. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dy fëmijë, njëri prej të cilëve me aftësi të kufizuara.

Në fshatin Tal, në jugperëndim të Nablusit, forcat izraelite shembën shtëpinë e familjes së Farouq Ramadan, një prej katër palestinezëve të vrarë gjatë një përleshjeje me kolonët izraelitë më 24 korrik. Në atë incident u vranë edhe dy izraelitë. Politika izraelite e shembjes së banesave të familjeve të palestinezëve të përfshirë në sulme ndaj izraelitëve është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut si një formë ndëshkimi kolektiv.

Në zonën pranë Yattas, në guvernatoratin e Hebronit, u shemb një tjetër banesë dhe u mbush me dhe një pus uji, duke lënë në kushte të vështira jetese nëntë palestinezë. Në fshatin Anza u shkatërruan gjithashtu 12 magazina tregtare, ndërsa në Yarza u shemb një objekt bujqësor. Në Masafer Yatta, në jug të Hebronit, autoritetet izraelite lëshuan urdhra për shembjen e shkollës Khallat al-Dabaa, si dhe të disa banesave e strukturave bujqësore.

Ndërkohë, dhuna nga kolonët izraelitë ka vazhduar në disa zona. Në Al-Mughayyir, dhjetëra kolonë sulmuan palestinezë që po punonin tokat e tyre, duke plagosur gjashtë persona, mes tyre tre fëmijë dhe dy gra. Sipas raportimeve, kolonët dogjën një pjesë të luginës dhe sulmuan edhe banesa aty pranë.

Në Khirbet Ras al-Ahmar, kolonët dëmtuan pjesë të tubacionit kryesor të ujit, duke ndërprerë furnizimin për rreth 30 familje palestineze që merren me blegtori, si dhe për fermat përreth. Sulme të tjera u raportuan në fshatrat Auarta, Osarin dhe Sarra, pranë Nablusit.

Në Burqa, gjashtë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën pasi forcat izraelite sulmuan banorët gjatë një bastisjeje, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze. Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës. Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zëvendëskoordinatori special për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Ramiz Alakbarov, tha se Bregu Perëndimor ndodhet në “pikën e thyerjes”.

Sipas tij, që nga fillimi i vitit janë vrarë 76 palestinezë në territorin e pushtuar, përfshirë 18 fëmijë. Rreth 3,800 palestinezë janë zhvendosur për shkak të dhunës së kolonëve, shembjeve dhe dëbimeve, ndërsa pothuajse gjysma e të zhvendosurve janë fëmijë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT