Emërohet drejtuesi i ri i AMP-së, kush është ish-oficeri i SHISH që do të pasojë Florian Sulejmanin

Eduart Merkaj është emëruar në krye të Agjencisë Mbikëqyrjes Policore. Emërimi i Merkajt ka ardhur pas dorëheqjes së Florian Sulejmanit, i cili më 8 korrik i dorëzoi në zyrë letrën e largimit ish-ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxhës.
Burime për mediat bëjnë me dije se Eduart Merkaj ka marrë zyrtarisht detyrën në krye të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore (AMP), një strukturë që ka rol thelbësor në hetimin dhe kontrollin e shkeljeve brenda radhëve të policisë së shtetit. Emërimi i tij u bë publik përmes një vendimi zyrtar, duke i hapur rrugë një faze të re në drejtimin e kësaj agjencie.
Profili i tij profesional dhe përvoja në fushën e rendit kanë qenë elementë kyç në këtë zgjedhje. Më herët ai ka mbajtur postin e Drejtorit të kufirit. Por, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të aso kohe, Gledis Nanos, Merkaj u largua në korrik të 2022 duke i lënë vendin Saimir Boshnjakut.
Sakaq kujtojmë se paraardhësi i Merkajt, Florian Sulejmani dorëzoi te ish-ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, letrën e tij të dorëheqjes. Më herët ai u pezullua nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Beratit, pas një hetimi të nisur ndaj tij.
Në prill të këtij viti, Florian Sulejmani ishte nën hetim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa sipas hetuesve, Sulejmani ka bërë transferime të oficerëve të policisë gjyqësore në shkelje me ligjin. Çështja i kaloi më pas Tiranës dhe organi i akuzës vendosi të pushojë hetimet dhe e riktheu Sulejmanin në detyrë.
Florian Sulejmani u emërua si kreu i AMP-së në nëntor të vitit 2023, pas një gare për herë të parë me konkurs për zgjedhjen e drejtuesit, pas ndryshimeve ligjore.
Më shumë për Eduart Merkajn, kreun e ri të AMP-së:
Eduart Merkaj u lind më datë 22 Maj 1977 në qytetin e Lushnjes. Është i martuar me Terezën dhe ka dy vajza: Dean dhe Greisin.
Është diplomuar në Shkollën e Lartë Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Fakulteti Filologjik,dega Gjuhë-Letërsi (DND) vitet 1995-1999.Titulluar Oficer në SHISH viti 2000. Titulluar Specialist i Lartë Policie (DND) viti 2005 në Akademinë e Policisë. Aktualisht i diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë.
Trajnime të ndryshme (me çertifikatë) në fushën e sigurisë dhe atë menaxhuese,zhvilluar në Akademinë Ndërkombëtare të Agjensive Ligjzbatuese Europiane dhe USA.
Çertifkuar si Tranjer Trajnues,pranë Këshillit të Europës,Strasburg,për fushën e Antikorrupsionit dhe Pastrimit të Parave. Çertifikuar në Akademinë Ndërkombëtare Antikorrupsion në Laxenbourg, Austri.
Ka një eksperiencë pune në strukturat e Agjensive Ligjzbatuese, Kontrollit të Brendshëm , Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë , ku ka mbajtur disa funksione :Oficer SHISH (2000-2003), Oficer në SHKB (2003-2006).O.P.GJ pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm (2006-2010) . Specialist në sektorin Antikorrupsion,Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (2010-2013).Shef Sektori të Forcës së Posaçme,në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale,në DPSH(2013-2015). Si edhe Shef Sektori për Hetmin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit viti (2016 ). Nga viti 2019 deri në 2022 ka mbajtur postin e Drejtorit të Kufirit.