Greqia dhe “Kali i Trojës”: Marrëveshja e djeshme nën petkun amerikan, më e madhja ndonjëherë mes dy vendeve (DIPLOMACIA EKONOMIKE)

Njeriu më i fuqishëm në Greqi në rangjet e biznesmenëve, Alexandros Exarchou mbërriti dje në Tiranë për të firmosur dokumentin 6 miliardë dollarë për të kthyer Vlorën në një hub energjie në Ballkan, nën petkun e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Firma e djeshme në marrëveshje, nën bekimin e ambasadores amerikane në Greqi dhe kryeministrit Edi Rama, erdhi vetëm tre ditë më vonë nga takimi zyrtar i Edi Ramës me kryeministrin grek në Athinë. Por, gjatë asaj vizite, siç edhe mediat raportuan, kryeministri Rama pati edhe një darkë informale me ambasadoren amerikane në Athinë Kimberly Guilfoyle.

Alexandros Exarchou është president dhe drejtor ekzekutiv i grupit AKTOR. Nën drejtimin e tij, kompania greke është një instrument i kapitalit të madh grek që po pozicionohet në infrastrukturë dhe energji. E nëse kjo marrëveshje që u firmos dje ecën më tutje, Aktor do të jetë një nga grupet më të fuqishme në Ballkanin jugor.

“Sot kemi ndërmarrë një hap shumë të rëndësishëm drejt zbatimit të Korridorit Vertikal, një iniciativë strategjike e hartuar nga qeveria amerikane dhe që aspiron t’i ofrojë Evropës siguri energjetike përmes LNG-së amerikane.

Marrëveshjet tona, të cilat janë mbështetur fuqimisht nga Këshilli Kombëtar i Sovranitetit të Energjisë (NEDC) i Shtëpisë së Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së, mund të zhbllokojnë potencialin e jashtëzakonshëm të Korridorit Vertikal në dobi të Evropës. Jemi të emocionuar që marrim pjesë në këtë partneritet transatlantik midis qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke shfrytëzuar bashkëpunëtorët tanë amerikanë për ta bërë këtë realitet”, tha dje presidenti i grupit pas firmosjes së marrëveshjes.

AKTOR do të jetë në partneritet me kompaninë amerikane Venture Global. Marrëveshja i jep hov projektit të gazit të lëngshëm amerikan LNG në Shqipëri dhe prej këtej në Europë. Marrëveshja e vendos Shqipërinë në një rëndësi gjeostrategjike të madhe, duke shkaktuar jo pak xhelozi te vendet e tjera të ballkanit.

Nëse projekti shqiptar rezulton i suksesshëm, Shqipëria do të ketë përfitime të mëdha nëse arrin të realizojë një marrëveshje të strukturuar mirë. Ndërkohë që hapësira do të ketë për nënkontraktorë lokalë e rajonalë.

E gjithçka që nuk kemi arritur në nivel diplomatik marrëdhëniesh me Greqinë për çështje shumë të ndezura, Shqipëria e arrin me Greqinë në aspektin ekonomik. Marrëveshja e firmosur dje e që pritet të fillojë në 2030, është më e madhja e arritur ndonjëherë mes dy vendeve, ku në njërën anë janë firma private greke e amerikane, e në anën tjetër shteti shqiptar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT