VIDEO/ Plagosja e 16-vjeçarit në Delvinë ngre në protestë bashkëmoshatarët! Babai i autorit përpiqet të “shpëtojë” të birin, u tregon xhepin me para nxënësve

Një ngjarje e rëndë është raportuar dy ditë më parë në qytetin e Delvinës, ku një adoleshent mbeti i plagosur pas një konflikti me një bashkëmoshatar të tij.
Në lidhje me këtë incident, ditën e sotme nxënësit e gjimnazit “Sulejman Delvina” kanë zhvilluar një protestë përpara ambienteve të Komisariatit të Policisë së qytetit, duke kërkuar drejtësi për shokun e tyre të plagosur.
Sipas informacioneve të bëra me dije për mediat, ndryshe nga raportimet e para ku thuhej se 16-vjeçari ishte plagosur pasi ishte goditur me një gozhdë, burime pranë ngjarjes pretendojnë se ai në fakt është qëlluar katër herë me thikë në shpinë nga bashkëmoshatari i tij.
Ky version i ngjarjes ka shkaktuar reagim dhe revoltë te miqtë dhe bashkëmoshatarët e të miturit, të cilët pretendojnë se babai i autorit ka ndërhyrë me qëllim për të zbutur çështjen në favor të djalit të tij.
Ndërkohë, gjatë protestës së zhvilluar këtë të premte, teksa nxënësit kërkonin drejtësi për 16-vjeçarin, babai i autorit është afruar pranë tyre dhe sipas dëshmive u ka treguar xhepin e mbushur me para. Siç dëgjohet edhe në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, të rinjtë kanë reaguar duke thirrur: “Me para nuk mund të blesh çdo gjë”.
“Babai i tij vjen këtu na thotë neve që jemi gënjeshtarë. Vjen këtu dhe i bie xhepit me krenari ndërkohë që ne i themi që leku nuk vlen asgjë.”, ka thënë një prej nxënësve.
Ndërkohë një tjetër ka folur për mediat ku dhe ka rrëfyer detaje nga dita e ngjarjes. Sipas tyre autori është një person problematik dhe disa herë është shoqëruar në zyrën e drejtorit.
“Ai djali 15 vjeç ka dalë nga shkolla, ka marrë leje dhe ka shkuar n shtëpi që të marrë thikën, më pas ka dashur që djali tjetër t’i afrohet në një vend ku ka qenë pa njerëz të tjerë. Kanë qenë disa bashkëmoshatarë që kanë pasur frikë të futen, por njeri u fut dhe lëndoi dorën. Shkolla ka thënë që ne nuk bëjmë dot gjë se ka ndodhur jashtë shkolle.
Ai rast ka ndodhur disa metra afër shkollës. Ne kërkojmë sigurinë tonë dhe drejtësi për atë djalin. Nuk është e drejtë që ai të vijë këtu në shkollë se ne nuk do jemi më të sigurt nëse ai kthehet përsëri këtu. Do të vazhdojmë protestën nëse do të kthehet.”