“Më vjen keq vetëm që e paralajmëroi Sali Berisha”, PËRPLASJE mes Spiropalit dhe ish-kryeministrit, kryedemokrati i kthehet ish-ministres: E ke fajin vetë, e more me të përpjetë

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është përplasur këtë të enjte në sallën e Kuvendit me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Nga vendi i saj në sallën e Kuvendit, Spiropali e cila vetëm një ditë më parë mbante postin e ministres së Jashtme, theksoi se çdo detyrë në Parlament është një nder i madh për të dhe se ajo që e kishte habitur ishte fakti se largimi i saj ishte paralajmëruar më herët nga Berisha në seancë.
“E vetmja gjë që më vjen keq, largimin e paralajmëroi Sali Berisha në Kuvendin, vetëm për këtë jam e habitur jo për gjë tjetër”, tha ajo.
Pas kësaj deklarate reagoi Berisha, i cili iu kundërpërgjigj duke i thënë se për shkarkimin e saj nga kryeministri Edi Rama e ka pasur “fajin” vetë ajo, dhe jo ai, ashtu sikurse dhe ish-minsitrja u shpreh.
Në vijim të debatit, Spiropali shtoi se përgjegjësia për situatat politike dhe për pozicionet që mban secili bie mbi vetë individët dhe jo mbi të tjerët.
“Unë replikën tani e kam me Sali Berishën dhe nuk e dija, por shkakton një emocion që do kthehem të bëj replika me Sali Berishën. Të gjithë e kanë nga vetja Sali, se nuk e kanë nga të tjerët, unë nga vetja, ti nga vetja, dhe për veten mbajmë përgjegjësi mbi këtë dhe”, tha Spiropali.
Pjesë nga debati:
Elisa Spiropali: Unë nuk flas vetëm anglisht, por flas edhe gjuhë tjetër të huaj, por më mirë se shqipen nuk flas gjuhë tjetër. Flas shqip, troç dhe kam folur gjithmonë ashtu si duhet, është e vërtetë që ajo detyrë është nder i madh, por çdo detyrë këtu në Kuvend është nder i madh. E vetmja gjë që më vjen keq, largimin e paralajmëroi Sali Berisha në Kuvendin, vetëm për këtë jam e habitur jo për gjë tjetër.
Sali Berisha: Eliza, je viktima më e parëndësishme. Ti na vije si nuse këtu e veshur me të bardha dhe me të gjithë aksesorët. Ndaj dhe se ke nga Sali Berisha jo, e ke nga vetja jote. Jo se nuk ke mbrojtje, por gëzoheshe se tani ti do bëje zv.kryeministrinë, nuk ta merrte mendja që do ishte kjo tjetra. Ndaj dhe nuk e ke nga Sali Berisha, se për Sali Berishën Edi Rama të lartësonte njësoj si këtë, por e ke nga vetja jote se more përpjetë dhe këta të dhanë atë që meritove.
Spiropali: I nderuar kryetar, replika ishte me deputetin Belind Këlliçi dhe jo me Sali Berishën që nuk e lë radhë për t’u marrë fjalë deputetëve të tij. Unë replikën tani e kam me Sali Berishën dhe nuk e dija, por shkakton një emocion që do kthehem të bëj replika me Sali Berishën. Të gjithë e kanë nga vetja Sali, se nuk e kanë nga të tjerët, unë nga vetja, ti nga vetja, dhe për veten mbajmë përgjegjësi mbi këtë dhe.
Ta bëjmë analizën, të shohim ku jemi dhe ku ishim, por nëse ti bën analizën e të tjerëve, se ti s’ke asnjë përgjegjësi se nuk lëviz më asnjë gur, jo më njerëz nga qeveria, por vetja është ajo që na sjell ku jemi dhe vetëm për veten mbajmë përgjegjësi, për të tjerat mbajnë përgjegjësi ata që bëjnë.