“Puna po bëhet e lodhshme, jemi pak gjyqtarë dhe shumë çështje”, e afërmja e gjyqtarit Astrit Kalaja tregon shqetësimin e tij para se të vritej

Ngjarja tragjike e regjistruar pasditen e 6 tetorit, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pasi u qëllua me tre plumba nga shtetasi Elvis Shkambi, ka tronditur thellë opinionin publik dhe ka hapur një debat mbi sigurinë e gjyqtarëve në Shqipëri.

Ky akt i rëndë solli jo vetëm dhimbje për familjarët dhe kolegët, por ngriti shqetësime serioze mbi mjedisin e punës së magjistratëve dhe mbrojtjen institucionale që ata marrin në kryerjen e detyrës si dhe mungesën e gjyqtarëve në sistemin tonë të drejtësisë.

Ky fakt i fundit është bërë me dije edhe nga kushërira e Astrit Kalasë, Lira  Parruci e cila për “Top Story”, ka rrëfyer dhe bisedën që ka pasur në takimin e fundit me të.

Ajo e përshkroi Astritin si një njeri të përkushtuar ndaj drejtësisë, profesionist të palodhur dhe figurë të dashur për të gjithë ata që e njohën nga afër. Madje, ajo pohoi se gjatë takimit të tyre ai i kishte shprehur shqetësimin për mungesën e gjyqtarëve dhe lodhjen që kishte.

“Në profesionin e tij, ishte i përkushtuar, serioz dhe i drejtë. Shumë njerëz kërkonin mendimin e tij, sepse e dinin që tek Astriti do gjenin një njeri që dinte ligjin, por edhe drejtësinë njerëzore. Ka trajtuar çështje të vështira, por gjithmonë me dinjitet dhe profesionalizëm, duke respektuar ligjin dhe njerëzit.

Kur u takuam për herë të fundit, në gusht të këtij viti, më tha se puna ishte bërë shumë e lodhshme. “Jemi pak gjyqtarë dhe shumë çështje,” më tha. “Po punoj darkave, fundjavave, edhe në pushime… nuk po pushoj dot fare.” Edhe pse i lodhur, nuk ankohej për veten, vetëm fliste me përgjegjësi, si gjithmonë. Ishte njeri që e donte punën, e bënte me pasion e me ndershmëri”, tha ajo.

Teksa më tej bëri me dije se jeta e gjyqtarit ishte modeste, por e mbushur me dashuri dhe vlerësim nga njerëzit që e rrethonin. Ndonëse punonte në Tiranë, ajo tha se zemra e kushëririt të saj rrihte për Shkodrën, qytetin e origjinës, ku kthehej rregullisht çdo fundjavë.

Pjesë nga fjala e kushërirës së Astrit Kalasë:

Titit, siç e kam quajtur gjithmonë, e kam përjetuar shumë rëndë. U trondita, u “shokova… por besoj se kushdo që e ka dëgjuar këtë lajm, është ndier njësoj. Sepse nuk mund të mos të të tronditë humbja e një njeriu si ai, e aq më tepër mënyra e dhimbshme si ndodhi.

Edhe sot, çdo ditë që kalon, ende më duket e pabesueshme. Dhe ndoshta ne që jetojmë jashtë, e përjetojmë edhe më thellë këtë dhimbje, sepse s’jemi dot pranë familjes, s’e ndajmë dot me të tjerët, mbetemi me lotin brenda vetes.

Titin e kam njohur që kur kam lindur. Ka qenë gjithmonë aty, pjesë e familjes sonë, pjesë e gëzimeve, pjesë e kujtimeve tona. Që kur fillova punë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u afruam edhe më shumë, sepse ai ishte jo vetëm kushëri, por edhe një mbështetje profesionale dhe njerëzore e jashtëzakonshme.

Ishte një njeri që të ngjante sikur e njihje prej kohësh, edhe nëse e takoje për herë të parë. Ishte i hapur, i dashur, plot humor, plot jetë. Kishte një shpirt të madh, një empati që rrallë gjendet. Ishte njeri që të dëgjonte, të kuptonte, dhe të ndihmonte pa e menduar dy herë.

Në profesionin e tij, ishte i përkushtuar, serioz dhe i drejtë. Shumë njerëz kërkonin mendimin e tij, sepse e dinin që tek Astriti do gjenin një njeri që dinte ligjin, por edhe drejtësinë njerëzore. Ka trajtuar çështje të vështira, por gjithmonë me dinjitet dhe profesionalizëm, duke respektuar ligjin dhe njerëzit.

Kur u takuam për herë të fundit, në gusht të këtij viti, më tha se puna ishte bërë shumë e lodhshme. “Jemi pak gjyqtarë dhe shumë çështje,” më tha. “Po punoj darkave, fundjavave, edhe në pushime… nuk po pushoj dot fare.”

Edhe pse i lodhur, nuk ankohej për veten, vetëm fliste me përgjegjësi, si gjithmonë. Ishte njeri që e donte punën, e bënte me pasion e me ndershmëri.

Jeta e tij ishte modeste, por plot dashuri. Ishte i dashur nga të gjithë, kolegë, miq, shkodranë. Edhe pse punonte në Tiranë, zemra i rrihte gjithmonë për Shkodrën. Çdo fundjavë kthehej atje, në qytetin që e donte aq shumë.

Titi kishte shpirt artistik. Lexonte shumë, ishte i ndjeshëm, i dashuruar me të bukurën, me familjen, me jetën, me njerëzit e mirë. Kishte një dritë të brendshme që e ndjeje sapo e takoje.

La pas një familje të mrekullueshme  bashkëshorten, që për mua është shume e dashur, një grua e fortë, e mençur dhe e ndjeshme.

La pas tre fëmijë, tre yje: dy të rriturit, që janë profesionistë te zote dhe njerëz të jashtëzakonshëm, dhe vajzën e vogël, 15 vjeçare, një vajzë e mrekullueshme që po shkëlqen si një rreze drite.

Kjo është një humbje shumë e madhe. Jo vetëm për ne, familjen dhe miqtë, por për gjithë shoqërinë, për Shkodrën, për drejtësinë, për këtë vend që humbi një njeri me kaq shumë vlera, me shpirt të madh, me zemër të pastër.

Astriti do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë, në zemrat tona, si njeri që dha dashuri, drejtësi dhe dritë. Dhe unë do ta kujtoj gjithmonë si Titin tim të dashur, me buzëqeshjen e tij të qetë, me humorin e tij të butë, me shpirtin e tij të mirë që nuk shuhet kurrë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT