Tragjedi në Pakistan, të paktën 13 fëmijë humbin jetën nga zjarri në spital

Të paktën 13 fëmijë, shumica prej tyre të porsalindur, kanë humbur jetën pas një zjarri të fuqishëm që përfshiu repartin neonatal të Institutit Pakistanez për Shkencat Mjekësore (PIMS), në Islamabad.
Ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit mbërritën me shpejtësi në spital dhe arritën të vënë flakët nën kontroll. Paralelisht me operacionin për shuarjen e zjarrit, në repart u zhvillua një evakuim urgjent për të nxjerrë foshnjat, pacientët dhe stafin nga zona e rrezikut.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve, zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shpërthim në kompresorin e një pajisjeje të ajrit të kondicionuar që ndodhej brenda repartit. Shkaku i saktë, megjithatë, pritet të përcaktohet nga hetimi zyrtar.
Disa foshnje të tjera janë në gjendje kritike dhe po marrin trajtim mjekësor. Autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci i viktimave mund të rritet.
Kryekomisioneri i Islamabadit, Sohail Ashraf, konfirmoi se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit për zjarrin. Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje, ndërsa pacientët që kishin nevojë për kujdes të specializuar u transferuan në zona të sigurta të spitalit.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të përcaktuar nëse masat e sigurisë kundër zjarrit ishin respektuar në repart.
PIMS është një nga institucionet më të rëndësishme shëndetësore qeveritare në Pakistan dhe shërben gjithashtu si qendër për edukimin dhe kërkimin në fushën e shkencave mjekësore.