Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, projekt restaurimi për Teqenë e Dollmës në Krujë

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe ata të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës inspektuan teqenë e Dollmës, në kalanë e Krujës.
Teqeja është monument kulture i Kategorisë së Parë, ndërtuar në vitin 1778 dhe një nga më të rëndësishmit e Krujës.
Inspektimi pati si qëllim mbledhjen e fragmenteve të afreskut të teqesë, të cilat ishin shkëputur nga muret e saj, pas lëkundjeve të tërmetit të 26 nëntorit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se “si pasojë e tërmetit teqeja pësoi edhe dëme në strukturë. Po punohet për një projekt restaurimi të ndërtesës dhe të afreskut, në laboratorin e IKTK-së”.
Nën koordinimin e Ministrisë së Kulturës, në vijim të tërmetit të 26 nëntorit 2019, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore janë ngritur grupe teknike për inspektime në pasuritë kulturore si dhe në institucionet e artit, kulturës dhe muzetë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës, me qëllim raportimin në kohë reale të situatës dhe vlerësimit të gjendjes në objektet me status monumente kulture (të gjinive dhe tipologjive të ndryshme si banesa/ fortifikime/ objekte kulti/ vepra inxhinierike etj.) në të gjithë vendin./atsh / KultPlus.com