Jemi në dorë të fatit më shumë se kurrë

Nga Edona Llukaçaj

Coronavirusi COVID-19, i shpallur pandemi, është tashmë zyrtarisht edhe në Shqipëri e gjasat janë se do qëndrojë për disa kohë, ndërsa ne të vdekshmit e zakonshëm jemi në dorë të fatit më shumë se kurrë.

Ndonëse teoritë konspirative dhe informacioni me tepricë rreth COVID-19 kishte kohë që po merrte edhe vëmendjen tonë, sikur kishim një besim të pabazuar se do e kalonte territorin shqiptar me kërcim së gjati e do ia hidhnim. I drejti Zot do na e kursente këtë problem, se në fund të fundit, sikur e kishim marrë dozën e halleve njerëzore për këtë periudhë.

Përveç atyre situatave tipike shqiptare, si varfëria, shanset e pakta për punësim, drejtësia e çalë, korrupsioni, politika mashtruese, integrimi i paarritshëm etj, ishim shkundur mirë dhe nga tërmeti.

Donim të mendonim se nuk do vinte, se geni jonë i pastër, rakia e mëngjesit pa hile dhe hudhrat vendase pa hormone do i vinin vulën e zezë në pasaportë sapo t’i afrohej kufirit.

Të vetëdijshëm për mundësitë shqiptare të kufizuara  për ta përballuar çfarëdo lloj krize, jo më një epidemi të përmasave të ngjashme me ato në Kinë a Itali, donim të besonim se ishim të paprekshëm.

E dinim mirë se ndryshe nga Turqia, që nuk e marrim pak shembull në mjaft aspekte, nuk do kishim dezinfektim të çdo zyre apo mjeti transporti publik, për të mos përmendur masat e tjera të nevojshme për të shmangur përhapjen e panikut e për të marrë situatën nën kontroll.

Por në Shqipëri, situata e shkaktuar me zyrtarizimin e pranisë së COVID-19 po bëhet pre e dy qëndrimeve ekstreme dhe botërisht krejt të pakëshillueshme: panikut dhe mosadresimit të qenësishëm. (????)

Pjesa e shoqërisë në panik, ka ditë që ka filluar të përgatisë rezerva ushqimesh, maskash e alkooli, në masa të konsiderueshme, si për t’iu bindur konceptit të shprehur dhe nga kreu I qeverisë, “sikur po fillon lufta”.

Të shtyrë nga (dez)informacioni mbi situatën kaotike në shumë vende të botës, që është vetë rrjedhojë e panikut, teksa mundohen të përgatiten për skenarin më të keq, ata po ndikojnë edhe segmente të tjera më pak të friguara të shoqërisë.

Shumë prej nesh, këto ditë, mund të kenë menduar se paketat tona të makaronave janë si të pakta kur bëmë krahasimin me trastat e komshiut që gati po derdheshin.

Ky panik, fatkeqësisht, duket se u pa si mundësi për tu shfrytëzuar edhe nga opozitarët antipatikë e apatikë që prodhuan aty për aty profeci apokaliptike me qytete që do asgjësoheshin nga sëmundja e lokalizuar qëllimisht atje.

Të paaftë a jo të gatshëm për të asistuar të paktën me një fjalë të mençur apo prej eksperti të fushës, më shumë u morën me tenderin e maskave se sa me faktin që ata ishin të skaduara. Po ashtu, na e bënë të qartë katërcipërisht se çdo hallkë në shëndetësinë shqiptare ishte e pamjaftueshme për të luftuar coronavirusin, a thua se ka shqiptar që nuk e dinte  këtë.

Nga ana tjetër kemi qeverinë e “situatës nën kontroll”, masat e së cilës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit famëkeq, më shumë duken të  ndërmarra për të qenë në sinkron me Europën e aspiruar, që ashtu si ne, është në fazat e para të pandemisë, se sa pikat e një plani të mirëmenduar për një vend me shëndetësi si tonën.

Qëndrimi i saj, “gati gati vetë e keni fajin që shëtisni nëpër Itali dhe nuk rrini në shtëpi as kur vini në këtu po shëtisni kafeneve,” sikur konfirmon edhe një herë se jemi krejt të prekshëm dhe se planet e aftësitë e saj për ti bërë ballë situatës janë të njëjta me ato të shfaqura në menaxhimin e krizës së tërmetit: shumë fjalë, shoë mediatik me tepri, deprimim të të gjithëve e pak ndërmarrje konkrete në shërbim të popullit.

Kjo i ngjan ngjarjes të atij miut të shtypur nga makina,  para derës së shkollës. Ajo ngjarja që të gjithë e kemi dëshmuar të paktën një herë. Atij miut që u lag në shi e u tha në diell derisa u shpërbë. Ajo pamja e neveritshme që shqetësoi të gjithë e u përbuz zëshëm.

Por nuk u pa e arsyeshme të pastrohet as nga personeli përkatës i shkollës, as nga punonjësi i pallatit përballë me administrator të kujdesshëm, as nga rojet e vetëshpallura të parkingut që të lënë afat për pagesën e detyrimit mujor më pak se bankat dhe as nga punonjësit e bashkisë që vizituan lagjen dy herë e lanë në rrugë shenjat e fshesave si ylbere të vizatuara nga fëmijët.

COVID-19 është padyshim i rrezikshëm se njihet pak e duhet marrë seriozisht, por sëmundja më e madhe në vend, që ia kalon çdo virusi “model i fundit” është mungesa e respektit për ne.

****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Back to top button
LAJMET E FUNDIT