“Rama shmang eksperimentet me kabinetin e ri, ja ku po fokusohet”

Gazetari Arbër Hitaj ka analizuar në Euronews Albania zhvillimet nga Asambleja e Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama bëri publike emrat e kabinetit të tij të katërt qeverisës, pas fitores në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Hitajt, përbërja e kabinetit nuk solli surpriza, pasi shumica e emrave janë figura me eksperiencë në sektorët përkatës.
“Te emrat e kabinetit qeveritar nuk ka pasur ndonjë surprizë. Pjesa tjetër janë thjesht disa lëvizje. Mendoj që Rama nuk ka dashur të rrezikojë kësaj radhe duke futur tërësisht të rinj”, u shpreh Hitaj.
Ai shtoi se kryeministri ka zgjedhur një qasje më të kujdesshme, duke shmangur eksperimentet me figura të reja, kjo lidhur dhe me negociatat për anëtarësim në BE.
“Nuk ka kohë Rama të eksperimentojë, pasi 2-3 vite na ndajnë nga pjesa e mbylljes së negociatave. Kjo ndoshta e ka bërë më të matur, ndryshe nga natyra e tij e zakonshme që më parë eksperimentonte më shumë”, tha ai.
Sipas gazetarit, terreni më i mundshëm për eksperimentime dhe lëvizje të mëdha mbeten reformat që janë paralajmëruar nga Rama.
“Ajo që për Ramën është terreni më i lehtë për të eksperimentuar, ka të bëjë me reformat e mëdha duke nisur me drejtësinë, reforma territoriale si dhe ajo kushtetuese për ndryshimin e normave të parlamentit”, përfundoi Hitaj.