Rama e “lëshoi” duke kërkuar shkarkimin, Berisha merr në mbrojtje Veliajn: E kanë dhunuar në qeli, po shkelen të drejtat e njeriut

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka aluduar se kryebashkiaku në detyrë i Tiranës Erion Veliaj është dhunuar në ambientet e paraburgimit në Durrës.

Gjatë deklaratës për mediat nga selia blu, Berisha i ka dalë në mbrojtje Veliajt për të cilin tha se po bëhet shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, pasi kryebashkiakun socialist nuk e lejojnë që të takohet me askënd.

Sipas Berishës, ndaj Veliajt nuk ka asnjë trasnparencës si po veprohet në burg, madje shtoi se, ai ka ngel pa bukë në qeli.

“Gjithçka është në shqyrtim, nuk ka asnjë lloj vendimi. Së pari u faktua se kush e burgosi Erion Veliajn, dhe për ç’qëllime e burgosi. Nuk kemi keqardhje se, Erion Veliaj e meriton 100 herë. Ato akuza dhe një mal tjetër shumë më i madh duhej të rëndonin mbi të. Por nga tjetër, shkelmimi i të gjitha normave elementare të të drejtave të njeriut. E keni marrë vesh, se atje nuk mund ta takojë njeri atë. Nuk e takon njeri. E keni marrë vesh, thuhet se e kanë goditur, për të mos thënë tentativa të tjera, me ushqim e pa ushqim, gjëra, se kur nuk ka asnjë lloj transparence, dhe tani bënte të paditurin ky. Ky që i organizon të gjitha, thoshte bëjnë këtë dhe këtë. Pra, kjo është,” tha Berisha.

Kujtojmë që më 11 shtator gjatë Asamblesë së PS-së, kryeministri Edi Rama tha se “situata nuk mban më” dhe kërkoi menjëherë që të mblidhet këshilli bashkiak i Tiranës për të shkarkuar nga detyra Erion Veliajn duke ndezur “dritën jeshile” për zgjedhje të parakohshme në kryeqytet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT