Dokumenti: Pasuritë e sekuestruara nga krimi do të shndërrohen në shkolla dhe qendra rinore

Qeveria ka prezantuar programin e saj për vitet 2025-2029, duke vendosur sigurinë publike si një ndër prioritetet kryesore. Një pikë thelbësore e këtij plani është shndërrimi i pasurive të sekuestruara nga krimi i organizuar në investime me vlerë sociale, si ndërtimi i shkollave dhe qendrave rinore. Kjo masë synon të japë një mesazh të qartë se aktivitetet kriminale nuk do të sjellin përfitime afatgjata.

Programi i ri thekson modernizimin teknologjik dhe përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, trafikimit dhe krimeve ndaj të miturve. Gjithashtu, vihet në pah bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ndërkombëtare si FRONTEX, EUROPOL dhe INTERPOL.

Dokumenti qeveritar vë në dukje arritjet e dekadës së fundit, duke përmendur se “82% e qytetarëve ndihen të sigurt në lagjen e tyre, nga 63% në vitin 2013”. Përveç kësaj, fatalitetet nga aksidentet rrugore dhe krimet ndaj personit kanë rënë ndjeshëm. Megjithatë, qeveria synon të vazhdojë përpara me projekte të reja ambicioze, duke përfshirë:

Projekti “Smart City”

Një nga projektet më të rëndësishme të programit është “Smart City”, i cili do të funksionojë si një Qendër Operacionale Unike. Ky projekt, theksohet në dokumentin qeveritar, parashikon krijimin e një rrjeti të integruar kamerash, sensorësh dhe dronësh, me qëllim uljen e kohës së reagimit policor nën 7 minuta në 20 qytete deri në vitin 2030.

Harta digjitale e kriminalitetit

Për herë të parë, qeveria do të përdorë “Hartën Digjitale të Kriminalitetit” dhe dronë/satelitë për të kontrolluar territorin dhe për të luftuar informalitetin dhe ndërtimet pa leje. Programi premton sanksione efektive, me gjurmueshmëri të plotë dhe pa subjektivizëm.

Forcimi i reagimit ndaj zjarreve

Një pikë tjetër e rëndësishme është forcimi i reagimit ndaj zjarreve. Do të ngrihet një Qendër e Përbashkët Koordinimi për stacionet zjarrfikëse dhe një Qendër Kombëtare Trajnimi, që do të mundësojnë veprime ndërinstitucionale në kohë reale dhe zbulim të hershëm të zjarreve me teknologji inteligjente.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT