Shkarkohet zv.dekani i Inxhinierisë, kritikoi qeverinë pas tërmetit

Sindikata ka kërkuar transparencë mbi vendimin e shkarkimit nga detyra të zv.dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Agim Seranaj, fill pas deklaratave kritike që ai bëri ndaj qeverisë pas tërmetit.

Sindikata e Punonjësve të Universiteve të Shqipërisë, SPUSH, ka kërkuar nëpërmjet një deklarate publike që Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë të bëj publike arsyet e shkarkimit nga detyra të zv.dekanit, Agim Seranaj.

Në deklaratën e saj Sindikata nënvijëzon se ka regjistruar shqetësime të shumta mbi këtë vendimmarrje, qoftë nga debatet mediatike, reagimet në rrjetet sociale, si dhe në rrjetet akademike profesionale mbi mundësinë e ndikimit në këtë vendimmarrje nga faktorë jashtë universitetit.

“Mjegullës së krijuar i bashkangjitet dhe mungesa e motivacionit të plotë e shterues brenda vendimit për shkarkimin e zv.Dekanit të FIN,” shprehet Sindikata.

“SPUSH kërkon të sigurohet që kjo vendimmarrje është çliruar nga çdo lloj ndikimi, si dhe nuk ka të bëjë me qëndrimet profesionale të zotit Seranaj, qofshin ato të shprehura në media, duke i konsideruara qëndrimet e tij si personale dhe të mbështetura në të drejtën Kushtetuese të shprehjes së lirë të mendimit, qoftë dhe para publikut të gjerë,” shtoi ajo.

Seranaj u bë një emër i njohur në media pas tërmetit vdekjeprurës së 26 nëntorit, me kritikat e tij ndaj reagimit të qeverisë dhe institucioneve në inspektimin e dëmeve dhe përcaktimin e ndërtesave të dëmtuara.

Ai u shkarkua nga detyra me datë 20 dhjetor, me një vendim të Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Neritan Shkodrani, i cili nuk ishte i arsyetuar.

Për shkak të dhe reagimeve publike lidhur me shkarkimin e Seranajt, si dhe qëndrimeve të tij kritike ndaj institucioneve pas tërmetit të 26 nëntorit, Sindikata i kërkon dekanit të FIN dhe rektorit të Universitetit Politeknik të Tiranës, të sigurojnë opinion publik që kjo vendimmarrje nuk ka ardhur si rrjedhojë e presionit nga qeveria.

“Do të ishte në interesin akademik të institucionit tuaj që, deri në informim transparent mbi këtë vendim, të shikohen mundësitë ligjore të pezullimit të zbatimit të tij,” përfundon SPUSH.

 

****

Me shkurtime nga Reporter

Back to top button
LAJMET E FUNDIT