Pse 2 marsi i Ilir Metës është i paligjshëm dhe çfarë rreziku i kanoset Presidentit

Prej ditësh tashmë, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka ndërmarrë një “fushatë” konferencash për të shpjeguar sipas tij atë që ai e cilëson si grusht shteti.
Ai denoncon ndër të tjera se pjesë e këtij grushti shteti që po tenton të kapë të gjithë sistemin gjyqësor, dhe të anashkalojë rolin dhe rëndësinë e presidentit është Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi z. Ardian Dvorani, mazhoranca e Edi Ramës dhe Parlamenti. Këtë të fundit ai madje nuk ka hezituar ta quajë edhe si gjysmë-parlament.
E për të shpartalluar sipas tij grushtin e shtetit që po ndodh në vend nuk mjafton vetëm shpjegimi juridik e denoncimi i fakteve, por duhet edhe forca e sovranit, pra e popullit.
Në dukje tejet i shqetësuar për situatën, ai ditën e sotme ka ftuar qytetarët që në datën 2 mars të mblidhen në Bulevard për të shpartalluar pra grushtin e shtetit, pjesë e të cilit akuzon ndër të tjerë Meta edhe ndërkombëtarët.
Por a mundet realisht Ilir Meta që të organizojë tubim apo organizim të këtij lloji për të “shpartalluar” sipas tij tentativën e grushtit të shtetit?
Në kuadër ligjor e kushtetues, përgjigja është JO. Kjo sepse rikujtojmë këtu që për shkak të situatës së tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, vendi është akoma në gjendje të jashtëzakonshme.
Kjo deri në datën 31 mars. Ndaj edhe në kuadër të kësaj situate, ligji, por specifikisht Kushtetuta në Pjesën e 16 të saj, neni 170/6 parashikon shprehimisht:
Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme.
Pikërisht edhe për këtë arsye presidenti anuloi në muajin dhjetor një tubim që kishte thirrur më parë po për këtë shkak, edhe pse atë muaj diskutohej akoma (De) legjitmiteti i zgjedhjeve vendore të qershorit.
Pra nga një analizë krejt sipërfaqësore e dispozitës së mësipërme kuptojmë që presidenti “de juro” nuk mundet të zhvillojë një tubim apo organizim të këtij lloji, pa kaluar më parë afati i gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur nga qeveria.
Shkelja e kësaj ndalese mund ta rrezikojë seriozisht Ilir Metën politikisht dhe juridikisht.