Kurti nxjerr marrëveshjen sekrete të Thaçit: Pakt sekret me NATO-n për ndalimin e FSK në veri, le të shkarkohet!

Nënshkrimi i një marrëveshjeje të fshehtë me NATO-n për ndalimin e ushtrisë së Kosovës në Veri të vendit, mund të çoje në shkarkimin e presidentit Hashim Thaçi.
Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 2013, është bërë publike sot nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka akuzuar presidentin për shkelje të rëndë të kushtetutës.
Kreu i qeverisë ka njoftuar sot përmes një shkrese zyrtare se e ka informuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, lidhur me një marrëveshje sekrete në mes Thaçit dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ky pakt i fshehtë i ndalonte FSK-së hyrjen në Veri të Kosovës.
Kryeministri Kurti thotë se kjo marrëveshje përbën bazë për nisjen e procedurave të shkarkimit.

“Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, i dha KFOR-it të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, pa afat”, deklaron ai.
Kurti informon Osmanin se pas pranimit zyrtar të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese.
Sipas tij, ajo shkel nenin 20 për Sovranitetin dhe nenin 18 për Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare.
“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete”, shkruan Kurti, duke theksuar se nuk do të vërë në rrezik marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n.

“Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë se unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim pro ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, shkruan kreu i Vetëvendosjes.
Sipas tij, vendimi i Thaçit për t’i dhënë KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, është i mjaftueshëm për shkarkimin e tij.
“Duke marrë parasysh provat në dispozicion te Zyrës së Kryeministrit, si dhe dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar se presidenti Thaçi, gjatë kohës kur ishte kryeministër, ka kryer shkelje te rënda te Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, thekson Kurti.