100 vjetori i parlamentit dhe krahasimi me parlamentin e sotëm

Si sot 100 vjet më parë do të zhvillonte punimet Kongresi i Lushnjës. Ky Kongres i zhvilloi punimet e tij nga 21-31 janar të vitit 1920, dhe si një nga zhvillimet më kryesore të këtyre punimeve konsiderohet krijimi i Senatit (parlamenti i parë shqiptar) dhe miratimi i një akti kushtetues që parashikonte pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Krijimi i Senatit do të shënonte për Shqipërinë dhe shqiptarët ngjarjen e dytë më të rëndësishme, pas asaj të shpalljes së pavarësisë në vitin 1912.
Por duhet thënë se që atëherë parlamentarizmi dhe jeta parlamentare në Shqipëri ka kaluar nëpër faza e procese mjaft delikate. Kështu ka pasur momente kur ai që konsiderohet si tempulli i demokracisë dhe debatit, pra parlamenti, ka qenë vetëm një insitucion formal dhe shumë larg misionit real të tij.
Kjo ka ndodhur në periudhën jo të largët të regjimit komunist ku kuvendi e kishte humbur misionin e tij, dhe kishte bërë hapa pas që nga koha e themelimit të Kongresit të Lushnjës.
Por me shembjen e sistemit komunist dhe me kalimin në demokraci, ishte tashmë e pritshme se shumë gjëra do të ndryshonin edhe në mënyrën e funksionimit të jetës parlamentare. Kështu pas plot 67 vitesh zgjedhjet e para parlamentare pluraliste dhe të lira do të zhvilloheshin më 22 prill të vitit 1992.
Zgjedhje këto të zhvilluara fill pas atyre të 21 marsit 1991, të cilat u kontestuan fuqimisht sepse nuk u konsideruan të lira pasi akoma ekzistonte frika e regjimit tek njerëzit.
Sot Parlamenti është njëdhomësh dhe përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur direkt nga populli në zgjedhje që zhvillohen cdo 4 vite. Deputetët konsiderohen përfaqësues të popullit dhe zgjidhen në zona zgjedhore shumë emërore, të ndara në 12 rajone.
Por përtej organizimit formal që na bën të ngjashëm me shumë shtete evropiane, duhet thënë që në aspektet e intelektualitetit dhe përfaqësimit serioz e dinjitoz nuk kemi bërë dhe aq hapa para, krahasuar me periudhën e largët të Kongresit të Lushnjës, apo me atë të afërmen të vitit 1992 ku Parlamenti kishte në përbërje deputetë që vinin nga rangu akademik dhe intelektual. Kjo pasi pas shembjes së sistemit komunist njerëzit kishin shumë besim tek demokracia dhe tek vlerat. Ndërsa sot pas shumë viteve kur ky besim duhej të ishte rritur, duhet thënë që në fakt nuk ka ndodhur kështu.
Ndryshimi i shpeshtë i sistemeve zgjedhore dhe përhapja e fenomeneve negative të tilla si: shit-blerja e votave, mosmbajtja e premtimeve, presionimi i zgjedhësve, apo edhe politizimi i administratës zgjedhore duhet thënë që ka goditur shumë besimin tek ekzistenca e një parlamenti dinjitoz e përfaqësues.
Në Senatin e para 100 viteve të Kongresit të Lushnjës, morën pjesë burra shteti e patriot si Aqif Pashë Elbasani, delegati i Prefekturës së Beratit Ferit Voskopola, Nebi Sefa, apo edhe Sulejman Delvina që asokohe u zgjodh kryeministër. Ndërsa sot pas 100 vitesh parlamenti ynë përbëhet nga Kujtim Gjuzi me shokë, apo edhe nga “kërpëratat”, dhe të tjerë si këto që kanë përfunduar rastësisht aty. Deputetët e parlamentit të sotëm akuzohen vazhdimisht si njerëz jopërfaqësues, me mungesë në arsim dhe jo në nivelet e duhura intelektuale.
Kur pas një shekulli jeta parlamentare dhe vetë parlamenti si tembulli i debatit duhet të kishte bërë shumë hapa para dhe duhej të ishte konsoliduar, duhet thënë që sot pas edhe “braktisjes” së parlamentit nga opozita dhe zëvendësimit të saj me deputetët e listave, të cilët kanë krijuar edhe situata mjaft qesharake në parlament, këtij të fundit i është vënë seriozisht në pikëpyetje misioni i tij.
Parlamenti nuk mund të jetë vetëm një insitucion i zakonshëm që harton e miraton ligje, por më shumë se kaq një arenë që artikulon e krijon debate kontruktive për të mirën e vendit dhe qytetarëve.