Kriza në Shqipëri, Basha pranon negociatat: Zgjidhja vjen nga Gjermania

Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi nga Lajpcigu i Gjermanisë ku mori pjesë në kongresin e CDU-së se plani me 9 pika i Bundestagut gjerman është udhërrëfyesi për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza.
Basha u shpreh se në fokus të takimeve me zyrtarë të partisë së Angela Merkelit dhe jo vetëm ka qenë integrimi i vendit në BE dhe çelja e negociatave.
“Dje kam pasur rastin të bisedoj nga afër me zyrtarë të CDU-së. Sot pres të takohem me ministren e Mbrojtjes, ku në fokus të bisedave ka për të qenë çështja e integrimit të Shqipërisë dhe hapja e negociatave. Plani me 9 pika dhe udhërrëfyes për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza”, pohoi lideri i demokratëve.
Në një lidhje live në rrjetet sociale Basha tha se ai do të kthehet nga Lajpcigu me zemrën dhe duart plotë, sa i takon nxjerrjes së vendit nga kriza. “Jam shumë optimist dhe nga Lajpcigu do të kthehemi me planin për ta futur Shqipërinë në rrugën e zhvillimit”, pohoi Basha.
Mes të tjerash ai ndau dhe një lajm të mirë me ndjekësit në “Facebook” ku tha se dje dhe sot ka qenë në fokus plani ekonomik i PD. Është hartuar me ndihmën e ekspertëve të kristiano-demokratëve gjermane. Ne vazhdojmë bashkëpunimin me ta, sa i takon dhe investimeve gjermane në vendin tonë”, u shpreh ai.