Harrojnë letrën mbi tryezë, ja për çfarë i ankohet opozita shefes së ONM-së

Genoveva Ruiz Calavera, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e opozitës. Zyrtarisht delegacioni i BE në Tiranë publikoi foto nga takimi duke thënë se ka ardhur koha për dialog, por pa dhënë detaje se çfarë është diskutuar.

Ish-deputetët e opozitës nuk janë treguar të kujdesshëm, sepse pas takimit kanë harruar mbi tavolinë një dokument të mbushur me pakënaqësi sesi po ecën Reforma në Drejtësi. Në takim kanë qenë ish-deputetët Silva Caka, Klajda Gjosha, Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi.

Letra është publikuar nga “Top Channel” ku që në fillim ish-deputetët e opozitës i ankohen zonjës Calavera për mënyrën sesi u zgjodh Arta Marku prokurore e Përgjithshme e përkohshme.

Ankesat kanë vijuar me çështjen e transferimit të prokurorëve që hetuan ish-ministrin Tahiri.

Po ashtu, ish-deputetët e opozitës kanë folur në këtë takim edhe për Donika Prelën, që sipas tyre është kontestuar gjatë vettingut. Për Donika Prelën, ata kanë thënë se dyshohet se i është hequr viza amerikane, fakt që nuk e ka reflektuar në formularin e vettingut.

Një tjetër shqetësim drejtuar Calaverës në letrën e publikuar nga “Top Channel”, është gara për kryeinspektor të ILD-së, ku sipas tyre kandidatët Metani, Kokona dhe Gjonçaj kanë lidhje direkt me PS-në.

Nuk ka munguar në këtë takim edhe shpalosja nga ish-deputetët e PD-së të biografive të anëtarëve të KLP-së.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT