Udhëtimet e shqiptarëve më 2012-n, si eksodi i ’91-shit (FOTO – VIDEO)

Pamje që të kujtojnë eksodet masive të dy dekadave më parë

Gazeta “Shqip” publikon foto dhe pamje shokuese të udhëtimeve të emigrantëve shqiptarë drejt Italisë

Një pasagjere denoncoi imbarkimin e më shumë se 2000 personave dhe qindra automjeteve të tonazheve të ndryshme në një traget

Edmond Hoxhaj

Ndonëse
kanë kaluar më shumë se dy dekada që prej rrëzimit të sistemit komunist
në vendin tonë dhe hapjes së kufijve të izoluar prej 45 vitesh,
shqiptarët, edhe pas liberalizimit të vizave, përjetojnë gati të njëjtat
vuajtje për të mbërritur në tokat e “premtuara”. Shumëkush mund të
mendojë se tashmë janë hedhur pas krahëve vështirësitë për të mbërritur
në vendet fqinje, kryesisht në ato perëndimore, por ja që nuk ndodh
kështu. Ndoshta ne shqiptarëve na duken joshëse ëndrrat e errëta të së
kaluarës, ndoshta jemi aq shumë nostalgjik sa nuk mund të shkëputemi
prej tyre. Kushdo shqiptar që ka ardhur në jetë rreth 30 vite më parë,
ka ende kujtime të freskëta të eksodeve masive të viteve ‘91 dhe ‘97. Në
ato eksode turmat e njerëzve vërshonin drejt Perëndimit, të uritur për
gjithë liritë e kësaj bote. Ndërsa në vitin 1997, me xhepat e zbrazur
nga firmat piramidale, i iknin terrorit të shkaktuar nga bandat
kriminale që sundonin vendin në atë kohë. Por, ndonëse kanë kaluar rreth
15 vite që prej eksodeve të fundit masive, ato u shfaqën të gjalla pak
ditë më parë për mijëra emigrantë e turistë të huaj e shqiptarë. Ishte
denoncimi pranë gazetës “Shqip” i një të reje që udhëtonte nga Porti i
Vlorës drejt atij të Brindisit të Italisë, për numrin e madh të
pasagjerëve të imbarkuar në tragetin “European Voyager” pasditen e së
shtunës së javës së kaluar, që dizenjoi tablonë e eksodeve të dikurshme
të dhimbshme. Dikur ato eksode ishin të mbushura me shpresë të madhe,
ajo çka përcillte e reja E.Shehaj, ishte disi e frikshme. Ajo kërkonte
ndihmë.

Denoncimi
“Jemi më shumë se 2000 pasagjerë të imbarkuar në tragetin ‘European
Voyaer’. Ka disa orë që ka nisur imbarkimi dhe vazhdojnë të vijnë ende
njerëz dhe automjete në bordin e tragetit. Kjo që po ndodh është e
frikshme. Nuk di nëse ky traget do të mund të na transportojë të
gjithëve përtej Adriatikut, apo do të fundoset në ujërat e detit
Adriatik, për shkak të mbingarkesës. Ju lutem na ndihmoni dhe kontaktoni
me autoritetet portuale të Vlorës dhe i njoftoni për situatën e
krijuar”. Kështu u shpreh për gazetën e reja E.Shehaj, e cila shpjegoi
më tej se udhëtonte drejt Italisë ku studionte prej vitesh, por duke
shtuar se, me një situatë të tillë nuk ishte përballur kurrë. Ajo
premtoi se kishte arritur të fiksonte me aparatin celular disa video, ku
duket qartë ajo çfarë po ndodhte pasditen e 25 gushtit në ambientet dhe
kuvertën e tragetit “European Voyager”, që ende nuk ishte nisur në
lundrim drejt Brindisit.

Në pamjet disa minutëshe dhe fotot që publikon sot gazeta “Shqip”,
duken qartë korridoret e tragetit të tejmbushur me pasagjerë. Kush ka
qenë më i shpejtë ka arritur të sigurojë një vend në karriget e barit,
apo janë ulur në korridore e hapësira të tjera të tragetit. Për shkak
edhe të temperaturave të larta, duket se ata mijëra persona po vuanin
mungesën e hapësirës atë ditë. Ndërkaq, në recepsionin e tragetit
shfaqen dhjetëra persona që kërkojnë shpjegime për atë që po ndodh aty.
Por asnjë përgjigje nuk kanë arritur të marrin, ndërsa radhët e tyre
shtohen pas çdo çasti që kalon. Në sfondin e zhurmave dhe të bërtiturave
dëgjohen edhe fjalë të gjuhëve të huaja, që sipas denoncueses ishin
turistë të huaj. Madje, ajo pohoi se mjaft prej tyre, që flisnin në
gjuhën italiane, betoheshin se nuk do të ktheheshim kurrë në Shqipëri.
Të kaloje në korridoret dhe hapësirat e tragetit nuk dukej një gjë e
lehtë. Në pamjet e videove shfaqen burra, gra e fëmijë të shtrirë apo që
janë ulur në dysheme pranë njëri-tjetrit. Nëse të duhet të spostohesh
nga një vend në tjetrin, duhet të jesh i kujdesshëm, që të mos lëndosh
ndonjërin prej tyre. Ndërkaq, më tej shfaqen njerëz që bërtasin me të
madhe e grinden mes tyre. E ndërsa vajza, e cila ka filmuar këto pamje
del në kuvertë, ajo çfarë ka arritur të kapë kamera e vogël e aparatit
celular, është vërtet tronditëse. Në të gjithë kuvertën, në të gjitha
anët duken njerëz pa mbarim. Të gjithë qëndrojnë të ngjitur pranë
njëri-tjetrit, për shkak të numrit të madh. Janë vërtet pamje që të
kujtojnë eksodet e së kaluarës, vetëm se këto i përkasin të shtunës së
javës së kaluar. Nga të gjitha anët kuverta është e tejmbushur me qindra
njerëz. Këta qindra e mijëra shqiptarë e të huaj zhurmojnë për atë që
po ndodh. Të gjithë flasin me zë të lartë, fishkëllejnë dhe shajnë. Por,
ndonëse këto pamje u regjistruan rreth orës 16:30 të datës 25 gusht
2012, trageti “European Voyager” u nis pas orës 18:00 dhe sipas
denoncueses deri në momentin e fundit u imbarkuan pasagjerë dhe
automjete që dukej sikur nuk kishin të mbaruar. Dhe në fund fishkëllima
që përshëndet nisjen e tragetit dhe ironizon në të njëjtën kohë, atë
çfarë ndodhi. Mësohet se numri i madh i pasagjerëve shqiptarë të
imbarkuar gjatë një dite në Portin e Vlorës me destinacion Portin e
Brindisit, ka sjellë vështirësi te punonjësit e këtij të fundit, për
përpunimin e dokumentacioneve. Këto pamje tregojnë qartë, se eksodet
tona vazhdojnë edhe pas dy dekadash tranzicion. Duket se mënyra e të
bërit të gjërave për shqiptarët mbetet përherë e njëjtë. Ndryshe nga
dikur kur njerëzit vërshonin drejt porteve për shpresë apo për të
shpëtuar kokën, sot bëjnë sërish të njëjtën gjë. Vetëm se e bëjnë në
mënyrë të përsëritur këtë eksod të dyfishtë, të ndodhur përballë krizës
ekonomike që ka mbërthyer Greqinë e Italinë dhe pasigurisë, korrupsionit
e nivelit të ulët të kualitetit të jetës në Shqipëri, ku çdo ditë armët
dhe aksidentet po vrasin njerëz.

Denoncimi – Kjo që po ndodh është e frikshme. Nuk di
nëse ky traget do të mund të na transportojë të gjithëve përtej
Adriatikut, apo do të fundoset në ujërat e detit Adriatik, për shkak të
mbingarkesës
Pamjet – Ndonëse këto pamje u regjistruan rreth orës
16:30 të datës 25 gusht 2012, trageti “European Voyager” u nis pas orës
18:00 dhe sipas denoncueses, deri në momentin e fundit u imbarkuan
pasagjerë dhe automjete
Brindisi – Numri i madh i pasagjerëve shqiptarë të
imbarkuar gjatë një dite në Portin e Vlorës me destinacion Portin e
Brindisit, ka sjellë vështirësi te punonjësit e këtij të fundit, për
përpunimin e dokumentacioneve

Reagimi

Autoritetet e Portit të Vlorës e vlerësuan si normale situatën e krijuar

Autoritetet Portuale në Vlorë, të pyetur nga gazeta “Shqip” për
situatën e krijuar pasditen e së shtunës së javës së kaluar, e quajtën
atë si normale. Sipas zyrtarëve të Portit të Vlorës, me dy tragetet e
linjës Vlorë-Brindisi ishin nisur drejt Italisë 1385 pasagjerë e 226
automjete me tragetin “European Voyager” dhe 960 pasagjerë e 167
automjete me “Jonian Spirit”. Burime pranë Kapitanerisë së Portit të
Vlorës pohuan para pak ditësh për gazetën se ky fluks në ikje është më
se normal. Sipas tyre, shumë nga emigrantët biletën e kthimit e kanë
lënë për ditët e fundit të muajit gusht dhe detyrimisht ky fluks do të
jetë deri në fund të muajit. Ndërkaq, autoritetet sqaruan se trageti
“European Voyager” ka një kapacitet prej 1700 pasagjerësh dhe numri i
njerëzve të imbarkuar në të, të shtunën e javës së kaluar, ka qenë nën
këtë kapacitet.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT