Turistë francezë e amerikanë shijojnë bukuritë e bregdetit shqiptar

Pasditen e vonë të së dielës, në një nga plazhet e vegjël, me fluks paksa të rralluar pushuesish, krahasuar me paraditen në bregdetin e Dhërmiut, pranë rezidencës qeveritare, binin në sy 2 çifte të rinjsh dhe një grua rreth të 60-ve, pranë tyre. Dukeshin që ishin të huaj. Vinin nga Marseja (Francë) dhe mbërritën në plazh rreth mesditës. “Do të qëndrojmë pak orë dhe do të zhvendosemi më në jug, ku na kanë thënë se ka plazhe të tjera të shumta”, thotë njëra prej vajzave. Kishin ardhur në Shqipëri përmes Durrësit, disa ditë më parë dhe do të qëndronin dhe 5 apo 6 ditë të tjera, për të pushuar në bregdetin e Jugut. Kishin qenë një ditë edhe në Vlorë dhe do të përfundonin në Sarandë. “Keni bregdet shumë të mirë, komplimente”, thotë vajza. Në fakt, grupi i turistëve francezë nuk ishte i vetmi, të dielën në këtë plazh të vogël dhe të qetë, në afërsi të rezidencës qeveritare në Dhërmi. Deri rreth orës 14.00 të së dielës dallohej prania e një grupi prej 10-12 amerikanësh, të gjithë të rinj dhe të reja, të cilët tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve për shkak të gjallërisë dhe të kënaqësisë që shprehnin hapur, teksa ndiqnin njëri-tjetrin në ujin e pastër të detit, ku qëndronin gjatë. Ishin klientë në një prej komplekseve të vogla turistike, aty pranë. Ndërkohë, që një grup prej tre të rinjsh italianë, dy prej të cilëve vajza, ishin larguar pak më herët nga plazhi, për të konsumuar drekën sipër në lokal dhe për t’u rikthyer sërish ndoshta në pasditen e vonë. Ky plazh i vogël i Dhërmiut ngjasonte dje, me një copëz të vogël toke me qytetarë, pushues nga e gjithë bota (!!!), ku veshi të zinte gjuhë të ndryshme, ashtu sikundër mund të perceptoje edhe kultura të ndryshme në mënyrën e të pushuarit. Amerikanë, francezë, italianë, shqiptarë, të gjithë bashkë, në një plazh prej disa qindra metra katrorë. Pavlloja, administrator i një kompleksi viletash prej druri aty pranë, tregon se gjatë këtyre ditëve ka patur mjaft klientë të huaj të ardhur nga Italia, Gjermania, Franca dhe, tani së fundi edhe SHBA. “Karakteristikë për sezonin e sivjetëm është ardhja e mjaft turistëve të huaj nga vende të ndryshme, ndërkohë që është shtuar numri i pushuesve nga Kosova”, nënvizon ai. Kjo reflektohet edhe në përqindjen që zenë turistët e huaj që vijnë me tragetet e linjës detare Brindisi-Vlorë. Sipas burimeve zyrtare nga pika kufitare e këtij porti, qytetarët e huaj përbëjnë mesatarisht rreth 25-30-35 përqind të totalit të fluksit të udhëtarëve që hyjnë në Vlorë, shumë më tepër se ç”ishte ky tregues një vit më parë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT