Zbulohet 48-vjeçari i dyshuar për sabotimet ndaj rrjetit energjetik në Gjermani, gjenden pajisje shpërthyese pranë nënstacioneve

Një 48-vjeçar gjerman është shpallur në kërkim në Gjermani, pasi dyshohet se qëndron pas një serie përpjekjesh sabotimi ndaj infrastrukturës energjetike në disa lande të vendit. Sipas autoriteteve, burri nga Gevelsberg, pranë Hagenit, në zonën e Ruhrit, ka marrë përsipër sulmet përmes dy letrave të dërguara në një gazetë. Në letrat e tij, ai ka përmendur si motivim “luftën kundër lëndëve djegëse fosile”.
Policia vijon kërkimet për 48-vjeçarin, ndërsa Ministri i Brendshëm i North Rhine-Westphalia, Herbert Reul, ka bërë të ditur se letrat përmbajnë informacione që, sipas autoriteteve, do të mund të ishin të njohura vetëm për personat që kanë kryer ose kanë pasur dijeni për sulmet. I dyshuari ka marrë përgjegjësinë për përpjekjet për sabotim të rrjetit elektrik pranë termocentraleve Genshwalde dhe Schwarze Pumpe, në Brandenburg, si edhe për sulme ndaj furnizimit me energji në disa zona të North Rhine-Westphalia-s.
Pajisje shpërthyese edhe në Saksoni
Rasti ka marrë përmasa më të gjera, pasi pajisje shpërthyese janë gjetur edhe pranë dy nënstacioneve elektrike në Saksoni. Sipas policisë, informacioni për këto pajisje ka ardhur gjithashtu përmes një letre pretendimi, e cila është marrë nga autoritetet ditën e enjte. Sulmet e dyshuara janë përqendruar në North Rhine-Westphalia, Brandenburg dhe Saksoni, tre lande ku linjiti vazhdon të nxirret dhe përdoret për prodhimin e energjisë.
Autoritetet po hetojnë nëse 48-vjeçari është përgjegjës për të gjitha rastet e raportuara. Megjithëse letrat janë përdorur si një prej elementeve kryesore të hetimit, përgjegjësia e tij për sulmet ende nuk është konfirmuar përfundimisht. Pas kontrollit të banesës së të dyshuarit të premten, oficerët kanë sekuestruar materiale shpërthyese. Më vonë, automjeti i tij është gjetur pranë pyllit Hambach. Behet fjalë për një kamion të mesëm, të cilin 48-vjeçari e kishte përshtatur si një lloj karvani. Megjithatë, vetë i dyshuari nuk është gjetur dhe vijon të jetë në arrati.
Ministri i Brendshëm i North Rhine-Westphalia, Herbert Reul, ka paralajmëruar se, pavarësisht letrave të pretendimit, autoritetet nuk mund të përjashtojnë ende mundësinë e një sabotimi të orkestruar nga një shtet i huaj. Ndërkohë, ministri federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, i ka cilësuar sulmet e dyshuara ndaj nënstacioneve si “ekstremizëm klimatik”, duke paralajmëruar se Gjermania mund të përballet edhe me tentativa të tjera të ngjashme.
Shqetësimi për sigurinë e infrastrukturës kritike është rritur edhe brenda sektorit energjetik gjerman. Christoph Müller, drejtori ekzekutiv i operatorit të sistemit të transmetimit Amprion, ka paralajmëruar për mundësinë e sulmeve të tjera ndaj rrjetit elektrik.
Në një intervistë për Rheinische Post, Müller ka kërkuar ndryshime ligjore për forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike, duke argumentuar se publikimi online i shumë të dhënave mbi rrjetet e energjisë dhe gazit i bën ato më të ekspozuara ndaj sabotimit. Ai ka kërkuar gjithashtu zgjerimin e mundësive për përdorimin e dronëve dhe kamerave për mbikëqyrje, ndërsa sipas tij rregullat aktuale janë shumë kufizuese. Hetimet në Gjermani vijojnë, ndërsa policia po përpiqet të lokalizojë 48-vjeçarin dhe të përcaktojë nëse ai është autori i vetëm apo pjesë e një grupi më të gjerë që mund të jetë përfshirë në tentativat për sabotim.