“Zgjerimi, sukses i përbashkët”- Ministri Hoxha pret ambasadoren e re të BE-së: Shqipëria ecën drejt objektivit për anëtarësim brenda kësaj dekade

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar takimin e parë me ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se në fokus të bisedës ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, përgatitjet për hapat e ardhshëm dhe rëndësia e ruajtjes së ritmit të negociatave.
“Edhe pse mund të jetë e shtunë dhe një ditë e bekuar, në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE nuk ka pauzë dhe kohë të lirë”, shkroi Hoxha.
Ministri theksoi angazhimin e Shqipërisë për vijimin e reformave dhe përparimin në të gjithë kapitujt negociues, duke nënvizuar se procesi i anëtarësimit duhet të mbështetet te merita, rezultatet dhe besimi i ndërsjellë.
Sipas Hoxhës, Shqipëria synon të përmbyllë negociatat dhe të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.
“Përmes reformave, ne sjellim më shumë Evropë në Shqipëri çdo ditë, ndërsa ecim me vendosmëri dhe qartësi drejt përfundimit të negociatave dhe objektivit tonë historik për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade”, u shpreh ministri.
Në përfundim të mesazhit, Hoxha i uroi mirëseardhjen ambasadores së re të BE-së në Shqipëri, duke e cilësuar zgjerimin si një sukses të përbashkët.
“Zgjerimi është një sukses i përbashkët: më shumë përparim për Shqipërinë, por edhe një investim strategjik për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”, përfundoi ai.