Rrjeti televiziv ABC i “Disney” padit administratën e Trump për lirinë e shprehjes: Na shenjëstrojnë për atë që transmetojmë!

Rrjeti televiziv amerikan ABC, në pronësi të grupit Disney, ka ngritur një padi në SHBA kundër administratës Donald Trump dhe rregullatorit të telekomunikacionit amerikan, FCC, duke i akuzuar ata për shkelje të lirisë së fjalës, pasi i ka kërcënuar me licencat e transmetimit.

Konkretisht, ABC akuzon në padinë e ngritur në Uashington qeverinë federale për kryerjen e një “fushate hakmarrëse kundër ABC për një arsye dhe vetëm një arsye: “ata nuk pajtohen me atë që transmeton ABC”.

Sulmet ndaj rrjetit, të cilat filluan menjëherë pasi Donald Trump u rikthye në pushtet në janar 2025, po “përshkallëzohen”, thotë kanali. Madje pretendon se sulmet tani po arrijnë “në kërkesa të drejtpërdrejta që ABC-së t’i hiqen licencat e transmetimit për shkak të asaj që thuhet në të”.

ABC citon si provë kërkesën e FCC-së për rrjetet televizive në pronësi të Disney-t që të paraqesin kërkesat e tyre për rinovimin e licencës më herët se sa ishte planifikuar fillimisht, pas kërkesës së familjes Trump për largimin e prezantuesit Jimmy Kimmel.

“Përballë këtij kërcënimi ekzistencial, paditësit nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i kërkojnë gjyqësorit të rivendosë dëmin që kanë pësuar nga hakmarrja e hapur e qeverisë kundër lirisë së tyre të shprehjes, e cila garantohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së”, vlerëson ABC.

Rrjeti në fund të fundit po i kërkon gjykatës të detyrojë qeverinë t’i japë fund këtyre veprimeve dhe kërcënimeve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT