FOTO/ Spanja arreston “magjistarin” shqiptar Taulant Toma, mjeshtri i katër arratisjeve spektakolare nga burgjet evropiane! Detajet e operacionit

Policia Kombëtare Spanjolle ka vënë në pranga në Tarragona të Katalonjës 42-vjeçarin shqiptar Taulant Toma, i kërkuar nga drejtësia italiane dhe i njohur gjerësisht si “magjistari i arratisjeve”. Operacioni për kapjen e tij i dha fund një kërkimi ndërkombëtar disamujor pas arratisjes së tij të bujshme nga burgu i sigurisë maksimale në Opera pranë Milanos, më 7 dhjetor 2025.

Sipas burimeve hetimore, i arratisuri bëri rezistencë të fortë gjatë momentit të arrestimit. Ky shënon fundin e arratisë për Tomën, i cili numëron në dosjen e tij plot katër arratisje nga institucionet e vuajtjes së dënimit: tre në Itali dhe një në Belgjikë.

Ngjarja e fundit që e vendosi 42-vjeçarin në qendër të vëmendjes ishte thyerja e sigurisë në burgun e Operas, Milano. Toma, i cili duhej të qëndronte pas hekurave deri në tetor të vitit 2048, përdori një metodë sa klasike aq edhe të guximshme. Autoritetet italiane raportojnë se ai preu hekurat e dritares së qelisë dhe përdori çarçafë të lidhur nyje me njëri-tjetrin për të zbritur nga lartësia, duke u zhdukur më pas në errësirë.

Për hetuesit, ende mbetet e paqartë se si i burgosuri arriti të kapërcente muret e rrethimit të jashtëm dhe nëse u ndihmua nga bashkëpunëtorë që e prisnin jashtë perimetrit. Pas ngjarjes së dhjetorit, forca të shumta policore, përfshirë Njësinë Qendrore Hetimore, ngritën postblloqe dhe shtrinë kërkimet në të gjithë zonën e Milanos, por shqiptari kishte arritur të kalonte kufirin.

Për sistemin penitenciar italian, Taulant Toma ishte një profil tejet i njohur. Rasti i tij më i bujshëm para këtij të fundit ishte në vitin 2013, kur arriti të largohej në mënyrë spektakolare nga burgu i Parmës së bashku me një tjetër të dënuar.

Arratisja e Tomës nga një prej burgjeve më të sigurta theksoi edhe një herë krizën e thellë në sistemin penitenciar italian. Gennarino De Fazio, Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Policisë së Burgjeve (Uilpa), ngriti asokohe shqetësimin për kushtet strukturore dhe mungesën e theksuar të personelit.

“Ende është e paqartë dinamika e plotë, por ky episod konfirmon dështimin e politikave të burgjeve të ndjekura në 25 vitet e fundit. Në burgun e Operas, mbipopullimi është në nivelin 153%, me 1,338 të burgosur për vetëm 918 vende, ndërkohë që stafi i policisë është drastikisht i mangët.” tha Gennarino De Fazio.

Me prangosjen e tij në Tarragona, “magjistari i arratisjeve” pritet t’i nënshtrohet procedurave të ekstradimit drejt Italisë për të vijuar shlyerjen e dënimit të tij deri në vitin 2048, përveç dënimeve të reja që do të rëndojnë mbi të pas kësaj arratisjeje të fundit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT