Një vizitë, një buzëqeshje, shumë shtrëngime duarsh… dhe një bilanc që ende mungon!

Nga Liridona Beqiri

Mirë se vini përsëri, zoti Kurti.

Pas kaq shumë vizitash në Maqedoninë e Veriut, ndoshta është momenti për një bilanc të qetë, institucional dhe mbi të gjitha të sinqertë: si po ecën puna me shqiptarët këtu, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit?

Përtej protokollit, fotografive dhe deklaratave të rastit, shqiptarët që e ndjekin politikën edhe përtej objektivit të kamerës do të donin të kuptonin pak më shumë për rolin dhe ndikimin e Prishtinës:

Çfarë është premtuar?

Çfarë është ndërmarrë?

Çfarë është arritur?

Dhe, mbi të gjitha, çfarë është mbrojtur dhe avancuar për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut?

Nuk janë pyetje të jashtëzakonshme. Janë pyetje që vijnë natyrshëm bashkë me peshën dhe ndikimin që Prishtina ka te shqiptarët e këtij vendi.

Është e pamohueshme se Kosova ka ruajtur një peshë dhe ndikim të veçantë në hapësirën politike shqiptare. Dhe kjo, në vetvete, nuk është pak. Ne shqiptarët e këtij vendi kemi edhe një lloj privilegji historik: të kemi dy “nëna” politike, Tiranën dhe Prishtinën.

Meqë dashuria është e madhe, pyetja është e thjeshtë dhe e vogël, pa asnjë qëllim polemik:

Çfarë mund të na tregoni se është bërë konkretisht për ne?

Ndoshta shumë gjëra janë zhvilluar në heshtje, përmes kanaleve diplomatike, dialogut institucional apo proceseve që kërkojnë kohë dhe diskrecion. Nëse është kështu, do të ishte mirë të na ndihmoni me orientimin: ku është ky proces, ku kemi arritur dhe sa kemi avancuar?!

Në politikë, vizitat dhe fotografitë janë pjesë e rëndësishme e komunikimit. Por rezultatet kanë një ves të bezdisshëm: kërkojnë prova!

Fotografia na tregoi se ishit aty. Bilanci duhet të na tregon pse..!

Prandaj, si shqiptare e këtij vendi, mbetem me një pritshmëri krejt të thjeshtë: një bilanc të qartë të asaj që është bërë, të asaj që është mbrojtur dhe të asaj që realisht ka mbetur për shqiptarët pasi vizitat kanë përfunduar.

Pa polemikë. Pa protagonizëm. Vetëm me respektin që meriton një marrëdhënie politike e ndërtuar mbi kaq shumë histori, emocione dhe pritshmëri!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT