Kriza politike në Kosovë, Kurti dhe Abdixhiku takohen përsëri për Presidentin: Të shmangim zgjedhjet e reja!

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për takimin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kurti u shpreh optimist për mundësinë e një marrëveshjeje, duke theksuar se diskutimet me LDK-në po zhvillohen me vullnet të mirë dhe me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Po i vazhdojmë diskutimet me vullnet të mirë, ashtu siç jemi marrë vesh, në mënyrë që vendit t’ia sjellim presidentin ose presidenten e re dhe t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, deklaroi Kurti para gazetarëve.

Ai theksoi se palët duhet të ruajnë konfidencialitetin gjatë negociatave, duke nënvizuar se Vetëvendosje mbetet e hapur për diskutime deri në arritjen e një marrëveshjeje.

“Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në mbledhje sot”, u shpreh Kurti.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Vetëvendosje i ka përcaktuar tashmë emrat që mund të propozojë për postin e presidentit, por nuk ka bërë të ditur identitetet e tyre.

“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, por nuk mund t’i ndaj këtu me ju, sepse pastaj do ta humbte kuptimin procesi i negociimit”, tha Konjufca.

Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut shihet si një përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të shmangur një tjetër proces zgjedhor në Kosovë.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT