Aktori i famshëm anglez ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare

Tim Curry, aktori anglez i njohur për rolet ikonike në “The Rocky Horror Picture Show”, “Clue” dhe miniserialin televiziv “It”, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Policia e Los Anxhelosit konfirmoi se efektivët u thirrën për një hetim mbi vdekjen e një burri rreth të 80-ave, në një adresë në North Hollywood, rreth orës 23:20 të së martës. Shërbimet zjarrfikëse të Los Anxhelosit thanë gjithashtu se ekipet e emergjencës kishin mbërritur në të njëjtën adresë rreth orës 22:42, pas raportimit të një emergjence mjekësore. Shkaku i menjëhershëm i vdekjes nuk është bërë i ditur.

Curry pësoi një goditje të rëndë në tru në vitin 2012 dhe, që prej atëherë, u përball me probleme shëndetësore.

I lindur më 19 prill 1946 në Grappenhall të Anglisë, Curry u bë një prej aktorëve më të spikatur të roleve karakteristike. Ai interpretoi shpesh personazhe britanikë arrogantë, keqbërës të sofistikuar dhe figura të çuditshme, duke fituar një reputacion të veçantë për portretizimin e personazheve negativë.

Roli që e bëri të famshëm ishte ai i Dr. Frank N. Furter në “The Rocky Horror Show”, fillimisht në skenë në vitin 1973 dhe më pas në filmin e vitit 1975 “The Rocky Horror Picture Show”. Performanca e tij u shndërrua në një fenomen kulturor dhe filmi, fillimisht i pasuksesshëm në kinema, u kthye në një prej filmave kult më të njohur të të gjitha kohërave.

Shfaqjet e mesnatës së “Rocky Horror” u kthyen në një traditë në SHBA dhe më gjerë, me spektatorë që shkonin të veshur si personazhet dhe ndërvepronin me filmin gjatë shfaqjes.

Pas suksesit të “Rocky Horror”, Curry u përpoq të largohej nga imazhi i Frank N. Furter dhe ndërtoi një karrierë të gjatë në teatër, film dhe televizion.

Ai u shfaq në filmin “Clue”, ku interpretoi maxhordomin Wadsworth, në “Legend” të Ridley Scott, ku luajti Lord of Darkness, si dhe në versionin televiziv të vitit 1990 të “It”, ku interpretoi kllounin demonik Pennywise.

Curry ishte gjithashtu aktiv në teatër dhe muzikale. Në vitin 2005 ai luajti Mbretin Artur në “Monty Python’s Spamalot”, një produksion që u nominua për 14 çmime Tony dhe fitoi çmimin për muzikalin më të mirë.

Përveç aktrimit, Curry punoi edhe si aktor zëri. Ai lexoi librat e serisë “A Series of Unfortunate Events” të Lemony Snicket, performancë që i solli një nominim për Grammy, ndërsa i dha zërin Darth Sidious në serialin “Star Wars: The Clone Wars”.

Gjatë karrierës së tij më shumë se pesë dekada, Tim Curry u shndërrua në një figurë të dashur të kulturës popullore, veçanërisht për aftësinë e tij për t’u dhënë jetë personazheve të pazakontë dhe antagonistëve.

Në një intervistë, Curry shpjegonte se personazhet negativë ishin shpesh më tërheqës për një aktor, pasi sipas tij “keqbërësit janë gjithmonë shumë më mirë të shkruar se heronjtë” dhe ishin më argëtues për t’u interpretuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT