Kampusi i ri i Universitetit në Durrës, Rama: Synojmë një qendër studentore 24-orëshe, model i ri zhvillimi urban dhe akademik

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e 5 ekipeve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu”, një projekt që synon të krijojë një hapësirë moderne ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore të ndërthuren në një ekosistem të vetëm zhvillimi.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se projekti për kampusin e ri universitar përfaqëson një investim strategjik për të ardhmen e Durrësit dhe të arsimit të lartë në vend.

“Sot jemi në kushtet kur kemi gati zanafillën e një projekti shumë të madh për kampusin e ri universitar të Durrësit, për të investuar në një zhvillim që do të përmbyllë një proces të nisur shumë vite më parë dhe do të mundësojë që këtu të ketë një qendër studentore 24 orë”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se një nga elementët kryesorë të projektit është adresimi i problematikës së strehimit të studentëve përmes krijimit të një zone rezidenciale, e cila do t’u ofrojë atyre kushte më të mira jetese dhe mundësi më të mëdha për socializim.

Sipas Ramës, kampusi i ri do të shërbejë jo vetëm si qendër akademike, por edhe si një hapësirë ku zhvillimi profesional, kulturor dhe social i studentëve do të ecë paralelisht.

“Ne duam t’i japim drejtim edhe çështjes së mprehtë të strehimit të studentëve gjatë periudhës së studimeve, pasi konviktet nuk kanë kapacitetet e duhura për t’i përballuar të gjithë. Krijimi i një zone rezidenciale për studentët bën të mundur që ata të kenë një strehim të arsyeshëm, por edhe të socializohen, ndërsa zhvillimi akademik të ecë paralelisht me zhvillimin e tyre njerëzor dhe social”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu dy risitë e konkursit ndërkombëtar, të propozuara nga studentë në Zyrih. E para lidhet me krijimin e një jurie studentore të pavarur nga juria zyrtare ndërkombëtare, ndërsa e dyta me zgjerimin e diskutimit përtej kufijve të konkursit dhe me reflektimin mbi një zonë lidhëse mes universitetit dhe qytetit të Durrësit.

“Ky konkurs ka dy risi të veçanta që janë propozuar nga studentët në Zyrih. Shqipëria është bërë një adresë tërheqëse për profesionistët e huaj të zhvillimit urban që vijnë për bashkëpunim dhe ata kanë gati një vit që po bëjnë projekte kërkimore në vendin tonë. E para është krijimi i një jurie studentore që do të punojë në mënyrë të pavarur nga juria zyrtare ndërkombëtare dhe ata do të bëjnë një analizë dhe vlerësim të pesë propozimeve finaliste dhe do të hartojnë një raport që do t’ia paraqesin jurisë zyrtare përpara marrjes së vendimit për fituesin. Risia e dytë lidhet me zgjerimin e diskutimit përtej kufijve të konkursit dhe me reflektimin mbi një zonë lidhëse mes universitetit dhe qytetit të Durrësit, duke e konsideruar atë si pjesë të një zhvillimi të përbashkët, ku universiteti dhe qyteti mbështesin njëri-tjetrin”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Rama u ndal edhe te nisma e “Universitetit të Hapur të Zhvillimit Urban”, të cilën e cilësoi si një platformë unike bashkëpunimi mes arkitektëve të rinj shqiptarë dhe emrave më të njohur të arkitekturës ndërkombëtare.

“Kemi krijuar universitetin më të madh të hapur në Europë të zhvillimit urban, duke bërë bashkë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh dhe studiosh prestigjioze ndërkombëtare me studiot dhe arkitektët e vendit. Është një universitet i hapur pasi u jep mundësi të gjithë atyre që janë përkushtuar arkitekturës dhe zhvillimit urban në vendin tonë që të ballafaqojnë dijet e tyre me dijet e arkitektëve dhe të studiove që janë në pararojë të zhvillimeve urbane në botë. Nga ky universitet i hapur përkrah arkitektëve të admiruar dhe të respektuar të botës, do të ketë edhe emra që sot janë pjesë e këtij universiteti të hapur. Do të kemi edhe ne gjurmën tonë në arkitekturën botërore”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT