Merr fund arratia e të afërmit të Arben Ndokës, blutë e Shkodrës i vënë prangat! Bashkë me ish-deputetin socialist tjetërsoi tokat te “Rana e Hedhun”

Është vënë në pranga ditën e sotme nga blutë e Shkodrës i afërmi i Arben Ndokës, shtetasi Bledi Ndoka, 43 vjeç, banues në fshatin Shëlqet të Vau Dejës, i cili akuzohet për tjetërsim pronash në zonën e njohur si “Rana e Hedhun” në Shëngjin.
Arrestimi i tij u realizua në kuadër të vendimit të dhënë ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, e cila e dënoi me 6 vite e 8 muaj burgim.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare: vunë në pranga shtetasin B. N., 43 vjeç, banues në fshatin Shëlqet, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim”, njoftoi sot Policia e Shkodrës.
Burimet bëjnë me dije se Ndoka rezulton të jetë një nga personat e përfshirë në dosjen e bujshme të tjetërsimit të pronave në zonën bregdetare të Lezhës, ngjarje për të cilën nisën hetimet për një grupp të strukturuar kriminal.
Në lidhje me këtë çështje, në të cilë dalin në pah dhe emrat e vëllait dhe motrës së ish-deputeti ssocialist, Arben Ndoka, GJKKO vendosi sekuestrimin e rreth 300 mijë metrave katrorë tokë, të ndarë në 75 pasuri të ndryshme me një vlerë prej 60 milion euro.
Për të njëjtën çështje rezulton të jetë dënuar me 10 vite burg shtetasi Gjevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka si dhe motra e tij Mimoza Ndoka.
Kujtojmë se, Arben Ndoka akuzohet së bashku me 12 persona të tjerë për tjetërsim pronash në “Rana e Hedhun” në Lezhë. Në vitin 2016 si pjesë e dosjes së famshme “339”, Ndokajt dolën në përgjime me Avdylajt e Shijakut për trafik droge dhe nga këto përgjime prokuroria konstatoi edhe çështjen e “Ranës së hedhur”.