Ish-drejtori i “Partizanit” nxjerr ZBULUAR Berishën: Saliu dhe familja e tij më kërcënuan të kyçja gojën, Shkëlzeni më ofroi 500 mijë euro

Ish-drejtues i Klubit Partizani, Paro Laçi, ka zbuluar së fundmi prapaskenat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, për të cilën thekson se është kryer me urdhër të ish-kryeministrit Sali Berisha nën kërcënime të vazhdueshme ndaj personave që e kundërshtonin atë.
Duke folur për privatizimin e kompleksit, Laçi zbuloi dhe kërcënimet e marra ndër kohë nga të afërmit e liderit demokrat.
“Në radhë të parë, nuk është se ata morën dhe e kaluan klubin, por ata e grabitën klubin. Unë në atë periudhë kur Sali Berisha vriste njerëz, unë kam denoncuar këtë korrupsion kaq masiv. Kam denoncuar grabitjen e klubit, sepse ne nuk kemi pranuar të kalojmë nga një ambient në një tjetër. Ne jemi në luftë me polici, me shkopa gome. Prandaj falënderova ata tifozë që janë përleshur me policinë”, tha Laçi në intervistën e dhënë për “Frontline” në Report.Tv.
Ndërsa më tej Laçi zbuloi se shpesh-herë ka marrë urdhra nga të afërmit e familjes Berisha që në këmbim të një shume afro 500 mijë euro të kyçë gojën e të mos kundërshtojë privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Po ashtu ish-drejtori i Partizanit bëri me dije se këto kërcënime bëheshin edhe në komisariatet e Policisë, nga ish-bodyguardët e Berishës, Erzen Breçani, Agron Kuliçi, etj.
“Prokuroria e asaj kohe më thanë se vajza e Sali Berishës është rrezik real për jetën tuaj. ‘Paro Laçi, po rrezikon jetën, është vajza e Sali Berishës’, më kanë thënë në prokurori. Unë po të kisha parë interesat e mua nuk kisha shkruar në gazetat e asaj kohe që ‘më kishte premtuar 500 mijë euro dhe s’kam pranuar’. Familja e Sali Berishës më kanë thirrur në komisariat në atë kohë dhe policia më ka bërë presion. Kanë prurë Erzen Breçanin dhe më kanë arrestuar disa herë. Shkëlzen Berisha më ka ofruar 500 mijë euro. Kam biseda telefonike me të”, përfundoi fjalën e tij Laçi.
Nga ana tjetër, Berisha në prononcime për mediat, jo pak herë ka akuzuar se kryeministri Edi Rama është autori i privatizimit të pronave të “Partizanit” duke pretenduar se ekzistojnë dokumente që e vërtetojnë këtë.
Lideri demokrat është shfaqur i gatshëm për një përballje në gjyq me kreu e qeverisë, Edi Rama, për këtë situatë.