Monitorimi i trafikut rrugor / Do të aktivizohen kamerat, Rama apel drejtuesve: Respektoni rregullat

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore dhe interurbane në të gjithë territorin e vendit, duke shfrytëzuar mjete inteligjente për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit. Paralelisht me masat në terren, autoritetet njoftuan se së shpejti pritet të vihen në funksion edhe kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, çka do të rrisë monitorimin automatik në akset kryesore.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, si dhe gjatë një inspektimi në terren të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në aksin interurban Rrogozhinë-Durrës.

Lidhur me situatën në rrugë, Kryeministri Edi Rama nënvizoi se mesazhi ndaj drejtuesve të mjeteve mbetet i prerë: “pa telefon në timon, pa alkool apo lëndë narkotike dhe pa tejkalim të shpejtësisë”.

“Siguria rrugore mbetet prioritet. Së shpejti do të vihen në funksion edhe kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, duke forcuar kontrollin në akset kryesore. Vetëm gjatë kësaj jave janë vendosur 1.100 masa administrative për tejkalim shpejtësie, me raste që arrijnë deri në 230 km/h. Apeli për drejtuesit e mjeteve është i qartë: pa telefon në timon, pa alkool apo lëndë narkotike dhe pa tejkalim të shpejtësisë”, shkruan Rama.

Kontrolle me radarë, Poliscan dhe dronë në gjithë vendin

Gjatë vëzhgimit të masave operative, Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, sqaroi se mjetet inteligjente po përdoren për matjen automatike të shpejtësisë në rrugët me fluks më të lartë, përfshirë edhe Rrugën e Kombit.

“Jemi dislokuar në aksin rrugor, në rrugën interurbane kryesore Rrogozhinë-Durrës. Është një mjet inteligjent që e mat shpejtësinë në mënyrë automatike. Kemi edhe të tjera në të gjithë territorin e vendit. Është e nevojshme që, në vazhdimësi, ne të operojmë me këto mjete inteligjente në dinamikën e përditshme të punës”, deklaroi Vatoci.

Nga ana e tij, Kryepolici Skënder Hita bëri rmori një apel për rritjen e vëmendjes ndaj sigurisë rrugore, duke bërë me dije se vetëm gjatë javës së fundit janë vendosur 1.100 masa administrative për tejkalim të normave të lejuara të shpejtësisë, me raste që kanë arritur deri në 230 km/h.

“Siguria rrugore ngelet përparësi e Policisë së Shtetit. Policia Rrugore është e vendosur që të gjitha shkeljet të evidentohen me mjetet inteligjente, me ato të cilat kemi në përdorim, siç është Poliscani, apo edhe mjetet e tjera, radarë dhe dronë”, u shpreh Hita.

Mbi 1.000 drejtues pa pikë në lejen e drejtimit

Sipas të dhënave zyrtare të bëra me dije nga kreu i Policisë së Shtetit, gjatë periudhës së një viti rezultojnë 1.075 drejtues mjetesh të cilëve u është hequr leja e drejtimit për shkak të konsumimit të plotë të pikëve. Gjithashtu, janë regjistruar 1.060 raste të proceduara për drejtim automjeti pa leje drejtimi.

Për të ndikuar në uljen e këtyre shifrave, Hita konfirmoi se integrimi i teknologjisë do të zgjerohet më tej përmes Qendrës Kombëtare të Monitorimit.

“Këto janë me të vërtetë shifra alarmante dhe na bëjnë të kthejmë vëmendjen dhe fokusin kryesor tek siguria rrugore. Së shpejti do të vihen në funksion edhe kamerat në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, të cilat do të integrohen në sistemin e Policisë dhe, në këtë mënyrë, do të kemi një kontroll dhe një çekim më të saktë”, nënvizoi ai.

Policia e Shtetit sqaron se qëllimi përfundimtar i pranisë së mjetit teknologjik në terren nuk është vetëm ndëshkimi, por parandalimi i ngjarjeve me pasoja të rënda.

“Nuk është në fokusin tonë që ne vetëm të evidentojmë shkelje, në fokusin tonë është të ndërgjegjësojmë qytetarët, të parandalojmë këto shkelje rrugore dhe të mos kemi aksidente fatale. Shpejtësia vret. Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë”, përfundoi deklaratën e tij Hita.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT