Vrasja e ushtarakut në Korçë, identifikohet autori i krimit, Policia vihet në ndjekje! Sekuestrohen kamerat e bizneseve, pistat e dyshuara (FOTO)

Policia e Korçës njofton se ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko, krim i ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 14.

Pas identifikimit, janë ngritur postblloqe dhe ushtruar kontrolle në disa zona, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij. Viktima ishte ushtarak dhe po hetohet në disa pista, kryesisht ato që lidhen me konfliktet.

Në kuadër të hetimit, Policia po mbledh dhe sekuestron kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave në zonën ku ndodhi krimi, me qëllim rindërtimin e lëvizjeve të viktimës dhe autorit para dhe pas vrasjes.

Pamjet pritet të jenë prova të rëndësishme për dokumentimin e dinamikës së ngjarjes.

Sipas informacioneve paraprake, autori dyshohet se e ka ndjekur viktimën, i cili nuk ishte banor i lagjes, dhe e ka kapur brenda një pallati ku i riu kishte tentuar të fshihej dhe e qëlloi me armë.

Pas vrasjes autori është larguar nga vendngjarja dhe vijon të jetë në kërkim.

“Forcat e Policisë po vijojnë kontrollet intensive, ndërsa grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave”, thanë burime zyrtare.

Hetuesit po punojnë gjithashtu për përcaktimin e motivit të vrasjes dhe nëse autori dhe viktima kishin pasur më herët konflikte apo përplasje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT