Ilir Meta kërkon limin nga burgu, gjykata paralajmëron avokatin: Nëse s`vjen në gjyq do të….

Gjykata e Posaçme e Apelit cakton datën 8 shtator, ora 10:00, për seancën gjyqësore të ankimit të ish-presidentit Ilir Meta, kundër vendimit që la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.

Më 13 gusht, Gjykata e Posaçme vendosi të mos pranojë kërkesën e Metës për të lënë qelinë, duke arsyetuar se nuk ka ndryshuar asnjë kusht ligjor që mund të çonte në zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg” për të pandehurin.

Ish-presidenti qëndron në paraburgim prej tetorit 2024. Sipas gjykatës, prej 26 majit pozita penale e Metës është rënduar, pasi ai ka marrë cilësinë e të pandehurit dhe është njohur zyrtarisht me akuzat e ngritur ndaj tij.

Gjykata arsyetoi se ekzistonte mundësia që Ilir Meta, në gjendje të lirë, mund të ndikonte te dëshmitarët, referuar faktit se disa prej tyre bëjnë pjesë në subjektin politik ku ai është president dhe se mund t’i influencojë për dëshmi në favor të tij.

Prej fundit të majit Ilir Meta është marrë i pandehur nga SPAK për “korrupsion” në tre raste, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”, në të njëjtën dosje ku është e pandehur edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Gjykata paralajmeron avokatin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka paralajmëruar avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakrani, se në rast mosparaqitje në seancën e 8 shtatorit,  do të zëvendësohet.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata sqaron se mungesa e paarsyeshme e mbrojtësit do të sjellë zëvendësimin e tij me mbrojtës kryesisht të caktuar nga gjykata, sipas nenit 132/1 të Kodit të Procedurës Penale.

Seanca do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe ka si objekt ankimin e Ilir Metës ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Presidenti i Partise se Liris, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024 akuzohet për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT