U shkarkua dje si ministër, Pirro Vengu flet për herë të parë pas vendimit të Edi Ramës për ta hequr nga kabineti: Ishte privilegj për mua

Vendimi i një dite më parë nga kryeministri Edi Rama për të ndryshuar gjysmën e kabinetit qeveritar, “lapsi” preku edhe ministrinë e Mbrojtjes, duke i dhënë fund detyrës së Pirro Vengu në krye të saj.
Pas këtyre lëvizjeve ka ardhur dhe një reagim nga vetë Vengu. I pranishëm ditën e sotme në ceremoninë e dorëzimit të sistemeve raketore JAVELIN në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr, ai e cilësoi si privilegj drejtimin e ministrisë së Mbrojtjes dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është një bindje e krijuar në të gjithë periudhën kur kam pasur privilegjin të udhëheq ministrinë e mbrojtjes, mbrojtja nuk është lluks por një shtyllë e shtetit”, tha Vengu, teksa më tej nënvizoi se Shqipëria ka zgjedhur të investojë në kohë paqeje, me disiplinë dhe vizion afatgjatë.
Sipas tij, dorëzimi i sistemit JAVELIN përbën jo vetëm një rritje konkrete të kapaciteteve të Forcave të Armatosura, por edhe një mesazh të qartë strategjik për sigurinë e vendit.
Pjesë nga fjala e Pirro Vengut:
Është kënaqësi në këtë moment tranzitimi të detyrës time të linim këtë shenjë sot së bashku me partnerët tanë amerikanë. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, në tërësinë e këtij komponenti të porositur prej vitesh dhe është pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë me SHBA-të. Ky sistem nuk është vetëm një simbol force dhe kapaciteti, por është edhe një mesazh qartësie strategjike.
Shpesh herë më bëjnë pyetje pse vendet shpenzojnë, sapo t’i jepet mundësia shpenzojnë kaq pak në mbrojtje. Kur përpiqem ta logjikoj përgjigjen, e vetmja gjë që më vjen ndërmend është të them që siguria është e padukshme kur funksionon. Paqja krijon iluzionin se është një gjendje natyrore dhe investimi në mbrojtje shpeshherë nuk prodhon duartrokitje të menjëhershme, por shmang kriza që askush nuk do t’i përjetojë. Historia na mëson diçka të thjeshtë, e vërtetuar herë pas here. Kostoja e përgatitjes është gjithnjë më e vogël se kostoja e papërgatitjes. Vendet që hezitojnë të investojnë në mbrojtje, investojnë në kushte urgjence.
Por Shqipëria ka vendosur dhe ka zgjedhur dhe nën orientimin dehe mbështetjen e SHBA të investojë në kohë paqe. Kjo ka qenë gjithmonë thelbi i bisedave. Shqipëria siç e thashë ka zgjedhur të investojë në kohë paqe, me disiplinë dhe duke kuptuar dhe nevojën e një sakrifice buxhetore në të ardhme. Javelin është pjesë e kësaj filozofie. Sigurisht Shqipëria nuk armatoset për të kërcënuar askënd, por armatoset në mënyrë që askush të mos ta vere në provë. Është një bindje e krijuar në të gjithë periudhën kur kam pasur privilegjin të udhëheq ministrinë e mbrojtjes, mbrojtja nuk është lluks por një shtyllë e shtetit.