Koronavirusi, Shqipëria do kërkoj ndihmë nga BE për medikamente dhe maska

Shqipëria do të kërkojë ndihmë nga Bashkimi Europian për të përballuar pandeminë e koronavirusit. Kryeministri Edi Rama tha se do të kërkojë që vendi ynë të mos përjashtohet nga eksportet e mallrave dhe ato të shëndetësisë.

Pezullimi i këtyre eksporteve po diskutohet si masë e mundshme nga Bashkimit Europian për të shmangur mangësitë në tregjet e unionit përgjatë periudhës së izolimit të qytetarëve. 

“Arsyeja tjetër është domosdoshmëria jetike e rajonit, që në përballimin e luftës, BE të mos e përjashtojë Ballkanin nga eksportet e mallrave dhe shëndetësinë. BE nuk duhet ta përjashtojë Ballkanin nga aksesi tregtar me këto mallra. Ne kemi përgatitur një nismë rajonale gjashtë vendet e Ballkanit drejt BE-së”, tha Rama. 

Një tjetër lajm që përcolli Rama është edhe se Qeveria do të diskutojë këtë javë një plan financiar për të ndihmuar familjet më në nevojë të izoluara për shkak të emergjencës së shkaktuar nga koronavirusi.

“Këtë javë do të kemi një plan financiar për të gjithë ata që kanë lënë punën për të hyrë në shtëpi”, u shpreh ai.

Megjithatë, Rama paralajmëroi se fondi që do të vihet në dispozicion mund të mos jetë i pamjaftueshëm.

“Ne nuk kemi as miliardat e Francës dhe as miliardat e Gjermanisë dhe ne nuk mund të bluajmë kockën e ekonomisë tonë”, shtoi ai.

Ndërkohë në lidhje me fondet që BE premtoi në Konferencën për Donatorët për rindërtimin e tërmetit, Rama tha se nuk do të ndryshojnë destinacion.

Rama shënjestroi edhe propozimet e opozitës.

“E kanë për kollaj ata që nuk kanë gjë në dorë që të ju japin edhe nënë e babë. Nuk bëhet politikë mes partive, por betejë me një armik të padukshëm”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT