Ulsi Manja tregon si e njohu të ndjerin Astrit Kalaja: Unë isha prokuror, ai gjyqtar! Si punuam bashkë në ditë të vështira të Shkodrës

Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, duke e cilësuar ngjarjen si një akt barbar dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe sistemit të drejtësisë.
“E kam njohur dhe kam punuar me të në Shkodër, në një periudhë të vështirë për rendin dhe sigurinë (2002–2005) — ai si gjyqtar, unë si prokuror. Astrit Kalaja ishte një qytetar dhe gjyqtar me integritet të lartë”, shkruan Manja në Facebook.
Ai thekson se vrasja e një gjyqtari në detyrë kërkon ndëshkim shembullor dhe ngre alarmin për mbrojtjen e punonjësve të drejtësisë nga dora e krimit.
Manja ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe miqtë e gjyqtarit Kalaja, duke e cilësuar atë si “njeri dhe profesionist që nderoi togën e zezë”.
POSTIMI I PLOTË NË FACEBOOK:
Një humbje që trondit drejtësinë!
Sot, dora e krimit u ngrit mbi togën e zezë, duke marrë jetën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja.
E kam njohur dhe kam punuar me të në ditë të vështira për rendin dhe sigurinë në Shkodër (2002–2005) — ai si gjyqtar, unë si prokuror. Astrit Kalaja ishte, me plot kuptimin e fjalës, një familjar dhe qytetar model, një gjyqtar me integritet të lartë dhe shtetar i përgjegjshëm.
Si ish-koleg dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve, e dënoj me forcë këtë akt barbar, që është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit dhe drejtësisë shqiptare.
Vrasja e një gjyqtari në detyrë kërkon ndëshkim shembullor dhe duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për sigurinë e të gjithë punonjësve të drejtësisë përballë dorës së krimit.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e shumtë që Astriti kishte kudo.
U prehtë në paqe njeriu dhe gjyqtari që nderoi togën e zezë!