Paketa “Anti-KÇK”/ A do të përdoret kundër peshqve të mëdhenj apo kundër fakirëve?!

Paketa Anti-KÇK kaq shumë e përfolur gjatë kohëve të fundit, duket se mori formën e saj ligjore me miratimin e Projektaktit Normativ nga mazhoranca.
Që në krye të herës kjo paketë ligjore u prezantua si mënyra që do t’i jepte goditje të forta krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjë të cilën duhet thënë kishte dështuar t’a bëntë i ashtëquajturi “Ligji Antimafia” i miratuar që në vitin 2009.
Artikulimi i shpeshtë i paketës ligjore “Anti KÇK” ka ngritur për hirë të së vërtetës jo pak hije dyshimi, mbi mënyrën sesi do të përdoret dhe kundër kujt do të përdoret. Për një pjesë të opinionit publik dhe opozitën politike në vend është parë thjeshtë si një show i radhës i qeverisë, për të larguar vëmendjen nga ngjarjet e përditshme dhe aktualiteti.
Për kritikët, paketa “Anti KÇK” shihet si një instrument në duart e ekzekutivit që mund të përdoret për të “goditur” zërat kundër dhe ata që mendojnë ndryshe.
Ndërsa për ekspertët dhe profesionistët është parë si një paketë ligjore që është në kundërshtim me legjislacionin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm të vendit tonë.
Nga ana tjetër një pjesë e qytetarëve, mbështetës të qeverisë në pushtet dhe njerëz që shpresojnë se më në fund krimi do të luftohet, mendojnë se ekzekutivi tashmë ka vullnetin pozitiv për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Një kusht ky kujtojmë këtu i vendosur edhe nga Bashkimi Evropian për çeljen e negociatave.
Kjo paketë ligjore në fakt, i jep më shumë kompetenca policisë së shtetit, duke krijuar herë-herë edhe konfuzione e përplasje me kompetencat e organit të hetimit dhe gjyqësorit.
Pikërisht në këtë moment lind edhe skepticizmi ynë për të ngritur pyetjen: a rrezikon të përdoret kjo paketë si mënyrë për të goditur fakirët?
Jo më kot e ngremë këtë pyetje, sepse me ligj tashmë e njëjta polici që sot vendos gjoba në rrugë, do të shfaqet nesër me “super kompetenca” për të të bllokuar pasuritë, për të të përgjuar, apo edhe për të të sekuestruar pasurinë bazuar në atë që cilësohet si “dyshim i arsyeshëm”.
Për analogji mjafton që për një moment të mendojmë sikur në rrethin e subjekteve të dyshuar të kësaj pakete të përfundojnë të gjithë personat që kanë mënjanë pasuri.
Kush do ta ndalonte policinë e shtetit nesër që të dalë në rrugë dhe të ndalojë këdo që me shumë mund e djers mund të ketë blerë një makinë luksi? Këtë mund ta ketë bërë me kursimet e tij si emigrant, me biznesin privat apo edhe me një tjetër të ligjshme.
Apo kush mund ta ndalojë policinë e shtetit nesër, për pasojë të njëjtën polici që drejtohet sot nga Drejtori i Përgjithshëm që të shkojë në një biznes që është ngritur me mund dhe të vendosë sekuestron si masë sigurimi pa marrë më parë një vendim gjykate, në fakt siç paketa Ani-KÇK parashikon.
Apo edhe më keq akoma, kush do ta ndalojë nesër policinë e shtetit, që të bëjë aksione edhe në ndonjë shtëpi që mund të ngjajë si shtëpi luksi, por që mund të jetë blerë me para të kursyera në emigracion, apo me para të tjera të marra në rrugë të mundimshme e të ligjshme.
Pra, të gjitha pikëpyetjet që ne me të drejtë ngremë sot të çojnë në të njëjtin shqetësim: a rrezikon të përdoret “Paketa Anti KÇK” kundër fakirëve dhe jo peshqeve të mëdhenj siç në fakt duhet të ndodhë?
Për këtë përgjigje do të na duhet të presim edhe pak kohë dhe si nismë ende nuk duhet paragjykuar. Por ne thjesht ngritëm disa pyetje, që po rotullohen në mendjen e njerëzve…