I kërkoi lekët borxh, regjisori i nxjerr SHKRESËN qesharake drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar Eksperimental: Një balerin s’mëson dot më shqip

Një letër e cila mban firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Gjergj Prevazit, është duke qarkulluar gjerësisht nëpër rrjet dhe ka shkaktuar debat lidhur me përmbajtjen dhe mënyrën se si ajo është shkruar.
Dokumenti i cili është lëshuar më datën 18 gusht 2025, i drejtohet regjisorit Kastriot Çipi, duke i komunikuar këtij të fundit se është debitor në shumën prej 720 mijë lekësh për punën si regjisor dhe aktor në shfaqjen “Zhurma jashtë skene”.
Lidhur me këtë letër së fundmi ka ardhur dhe një reagim nga Çipi, i cili përpos anës ligjore, ia ka vënë në dukje drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe i ka korrigjuar me bojë të kuqe “gafat” drejtshkrimore dhe gramatikore. Madje, siç shihet edhe në foto edhe titulli i funksionit të drejtorit është shkruar me gabime kun ë vend të “Drejtor i Përgjithshëm”, është shkruar: “Drejtor i Përgjithshësh”.
Në përgjigjen e tij Çipi e cilëson këtë shkresë si “zbavitëse” dhe e ka falenderuar drejtor Prevazin për humorin e pavullnetshëm që i ka ofruar. Më tej ai i ka sugjeruar drejtorit që të përdorë shërbimin “Language Pack – Albanian” të Microsoft Word ose të punësojë një sekretare që zotëron mirë gjuhën shqipe.
Çipi thekson gjithashtu se letra e TKEKS nuk citon asnjë organ auditues dhe asnjë nen të qartë ligji që të provojnë se ai ka shkelur ligjin. Ai argumenton se pagesat për punën e tij artistike janë kryer me vendim të Bordit Artistik, organ i emëruar nga Ministria e Kulturës, ku ai vetë nuk ka qenë pjesë.
“Në letrën tuaj, ju më njoftoni se jam cilësuar debitor “referuar përfundimeve të angazhimit të auditimit”, por nuk citoni organin, që e ka kryer auditimin dhe datën e publikimit të raportit përfundimtar. Me këtë rast, si palë e interesuar, ju kërkoj të më dërgoni me postë një kopje origjinale të këtij raporti, me firmat dhe vulat e njoma të përpiluesve të tij”, shkruan ai ndër të tjera.
Postimi i plotë i Kastriot Çipit:
Kastriot Çipi
Rr. *. *****, **, **, Tiranë
*****@*****.com
+35568*******
z. Gjergj Prevazi
Drejtor i Përgjithshëm
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”
Tiranë
Lënda: Përgjigje ndaj shkresës suaj “Njoftimin detyrimi” me nr. 515 prot, datë 18.08.2025
Inderuar z. Drejtor!
Para një jave pata kënaqësinë të marr letrën tuaj, e cila në vend që të më shqetësonte, më zbaviti pa masë. Për këtë ju falënderoj!
U zbavita gjatë leximit, që nga rreshti i parë, ku Lënda, në vend të rasës emërore në trajtë të pashquar, “Njoftim detyrimi”, shkruhej “Njoftimin detyrimi”, e deri në rreshtin e parafundit, ku shënohej funksioni juaj, me shkronja të mëdha, si “DREJTOR I PËRGJITHSHËSH”, në vend të Drejtor i Përgjithshëm, që supozoj se është emërtesa e saktë.
Bashkangjitur letrës sime, do të gjeni kopjen e letrës suaj, me të gjitha gabimet drejtshkrimore, gramatike dhe sintaksore, të shënuara me të kuqe. Me këtë rast, më lejoni t’ju informoj se Microsoft, prodhuesi i paketës së programeve Office, ndër të cilët edhe programi Word, që ju përdorni për të shkruar tekste, si ky i letrës, ofron pa pagesë shërbimin e ndreqjes automatike të gabimeve drejtshkrimore në gjuhën shqipe, duke aktivizuar shtesën “Language Pack – Albanian”. Për sa i takon gramatikës dhe sintaksës, Microsoft nuk ju ndihmon dot dhe ChatGPT është ende larg përsosmërisë në përdorimin e gjuhës shqipe. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh moshën jo fort të re dhe formimin tuaj si balerin e koreograf, kam frikë se do ta kishit të vështirë t’i futeshit studimit të shqipes. Nëse jeni pjesë e ndonjë pakice etnike, siç sugjeron mbiemri juaj (prevaz, serbisht = veshje), ju sugjeroj të punësoni një sekretare, që e njeh mirë gjuhën shqipe dhe di të zgjedhë gjuhën e dokumentit, që po ulet të shkruajë në kompjuter, duke përdorur programin Word.
Në letrën tuaj, ju më njoftoni se jam cilësuar debitor “referuar përfundimeve të angazhimit të auditimit”, por nuk citoni organin, që e ka kryer auditimin dhe datën e publikimit të raportit përfundimtar. Me këtë rast, si palë e interesuar, ju kërkoj të më dërgoni me postë një kopje origjinale të këtij raporti, me firmat dhe vulat e njoma të përpiluesve të tij.
Në mishmashin e citimeve pa thonjëza, me fraza të shkëputura nga nene ligjesh, të futura në fjali, ku është e pamundur të dallosh cila është kryefjala e cili kundrinori, nuk arrita të kuptoj cilin nen, të cilit ligj, kam shkelur, me cilin veprim ose mosveprim timin.
Citoj pikë për pikë (përfshi gabimet drejtshkrimore) nga letra juaj:
Ligjit nr. 9367 “Për parandalimin e konfliktit të interesave të ushtrimin e funksioneve publike” citohet se … ndalohet lidhja e kontratave ndërmjet një institucioni publik apo çdo institucioni public tjetër të varësisë… zyrtari që ushtron funksionet në këtë institucion publik ka kompetencë thelbësore dhe përcaktuese në vendimmarrjen e procesit të vlerësimit të ofruesve, apo në përcaktimin e termave të kontratës dhe pika 3/b ky zyrtar ka një interes privat.”
Ndalohet lidhja e kontratave?! Jo! Krejt e kundërta! Institucionet publike janë të detyruara me ligj të lidhin kontrata. Ju vetë në vijim flisni për “terma kontrate”. Pra duhej apo nuk duhej të lidhja kontrata? Më tej, Pika 3/b e cilit nen citohet këtu? Kur zyrtari ka interes privat çfarë ndodh?
Pavarësisht shqipes suaj të çalë dhe mishmashit të citimeve të shkëputura nga konteksti, arrij të marr me mend, se ju doni t’ju kthej paratë, që kam përfituar ligjërisht, për punën time si regjisor dhe aktor, në komedinë “Zhurma jashtë skene”, të vënë në skenë në vitin 2013. Them ligjërisht, sepse si miratimi i projektit, si miratimi i tarifave për shpërblimet artistike, janë bërë me vendim të Bordit Artistik, të emëruar nga Ministri i Kulturës dhe unë, si titullar institucioni, për fatin tuaj të keq, nuk kam qenë anëtar Bordi. Kjo është arsyeja, që ju nuk citoni një nen të vetëm ligji, nga fillimi në fund dhe nuk citoni veprimin ose mosveprimin tim, që e konsideroni shkelje të atij neni. Shqip, zoti Drejtor i Përgjithshëm, nuk dini të më thoni, nëse kam shkelur ligjin, duke punuar si regjisor, apo si aktor, apo duke u paguar për punën e kryer. E kisha të ndaluar nga ligji të punoja si regjisor, apo e kisha të ndaluar të paguhesha, nëse punoja si regjisor e aktor?
Në fund të letrës, ju më kërkoni të paguaj vullnetarisht, citoj: “brenda afatit 15 ditor,në të kundërt do ti drejtohemi gjykatës .” (Sërish gabimet drejtshkrimore janë tuajat)
Pra, pasi keni pritur 11 vjet, pa më dhënë kopjen e vendimit të institucionit, që ka kryer auditimin, ju më jepni afat 15 ditë dhe më kërcënoni me padi në gjykatë. Me siguri ju nuk e keni idenë se çfarë është “parashkrimi” në jurisprudencë…
Por meqë përmendni gjykatën, z. Drejtor, më lejoni t’ju kujtoj se unë kam depozituar padi në Gjykatën Administrative brenda afatit ligjor prej 6 muajsh, për pushim të padrejtë nga puna, në vitin 2014. Drejtësia e “rilindur”, më falni, e “reformuar”, mori 11 vjet kohë deri në dhënien e vendimit të formës së prerë. Siç keni dijeni, Gjykata Administrative ka vendosur pranimin e kërkesë-padisë sime dhe ka urdhëruar Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (TKEKS), që ju drejtoni dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), të më paguajnë dëmshpërblim në masën e pagës së një viti, ose gati dyfishin e shumës, për të cilën ju pretendoni, se i detyrohem institucionit. Ju keni marrë njoftim rregullisht për këtë vendim, madje edhe për urdhrin e Përmbarimit, për vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë e TKEKS-it dhe MEKI-t në Thesar.
Me këtë rast, më lejoni t’ju informoj, z. Drejtor, se duke refuzuar të zbatoni vendimin e Gjykatës, ju rrezikoni pasoja administrative dhe penale. Më konkretisht:
Neni 451 “Efekti i vendimeve gjyqësore”, i Kodit të Procedurës Civile, sanksionon se: Vendimet e formës së prerë janë të detyrueshme për zbatimin nga të gjitha organet shtetërore, institucionet dhe personat juridikë ose fizikë. Pra, edhe për ju, si titullar institucioni.
Ndërsa Kodi i Procedurave Administrative (Ligji nr. 44/2015), ka dy nene, që zbatohen në rastin tuaj:
Neni 116 – Detyrimi për zbatimin e vendimeve gjyqësore
Organet publike janë të detyruara të zbatojnë vendimet gjyqësore të formës së prerë, që u përkasin atyre ose që lidhen me veprimtarinë e tyre.
Çdo vonesë apo refuzim i paarsyeshëm për zbatimin e vendimeve gjyqësore përbën shkelje të ligjit dhe sjell përgjegjësi sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 117 – Pasojat e moszbatimit të vendimeve gjyqësore
Moszbatimi i vendimeve gjyqësore nga organet publike sjell përgjegjësi disiplinore dhe administrative për titullarin ose punonjësin përgjegjës.
Kur moszbatimi i vendimit shkakton dëm, personi i dëmtuar ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim sipas ligjit.
Nëse vazhdoni me kokëfortësinë tuaj, edhe pas bllokimit të llogarive, përgjegjësia juaj nga administrative, bëhet penale.
Sipas Kodit Penal, citoj:
Neni 248 “Shpërdorimi i detyrës”
Kur një funksionar publik nuk kryen veprimet e detyrueshme nga ligji dhe u shkakton dëm interesave të shtetasve apo shtetit, kjo përbën vepër penale.
Neni 320 “Moszbatimi i vendimit të gjykatës”
Moszbatimi me dashje i vendimit të formës së prerë të gjykatës dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Nëse deri të martën, 26 gusht 2025, keni pasur një alibi – mungesën e fondeve – pas Urdhrit të Ministrit për kalimin e fondit për dëmshpërblimin në llogarinë e TKEKS, kjo alibi ka rënë dhe mos zbatimi i vendimit të gjykatës konsiderohet i bërë me dashje!
Për sa më lart, z. Drejtor, nëse nuk zbatoni vendimin e Gjykatës brenda afatit 5 ditë pune, do t’i drejtohem SPAK-ut, subjekt i të cilit jeni, si titullar institucioni publik qendror, me një kallëzim, bazuar në nenet e sipërcituara të Kodit Penal.
Në pritje të reflektimit tuaj, mbetem me konsideratën më të lartë, për postin tuaj dhe institucionin që ju drejtoni.
Sinqerisht
Kastriot Çipi
Dërguar përmes postës elektronike në adresën [email protected], më 1 shtator 2025