Profesoresha Bani: Pjeshkët e asgjësuara në Kroaci? Po na marrin mendim nga Brazili, në Shqipëri nuk kujtohet kush për ekspertët

Profesoresha e Universitetit Bujqësor, Aida Bani ka shkruar një “thirrje ulëritëse” për autoritetet shqiptare dhe sidomos ato të Ministrisë së Bujqësisë që nuk marrin mendimin e ekspertëve lidhur me prodhimet që dalin nga toka shqiptare.

Nisur nga rasti i fundit i asgjesimit në Kroaci në 22 gusht të rreth 5 tonëve pjeshkë të ardhura nga Shqipëria pasi u konstatuan me nivele të laryta të metalit të rëndë Nikel e të prodhuara në Divjakë, profesoreshë Bani shkruan se punon me metalet e rënda prej më shumë se 21 vitesh, “kryesisht me nikelin në tokë e bimë”.

“E gjithë veprimtaria ime kërkimore–shkencore është përqendruar te nikeli, çka është reflektuar në rreth 100 artikuj shkencorë dhe dhjetëra prezantime në konferenca ndërkombëtare, të cilat janë cituar nga mbi 2200 autorë të huaj.

Megjithatë, fatkeqësisht, asnjë prej autoriteteve qeveritare përgjegjëse për këtë çështje nuk më është drejtuar ndonjëherë për mendim apo këshillim. Kjo tregon se në Shqipëri, nuk i kushtohet vëmendje specialistëve të fushës, atyre që kanë shpenzuar jetën në këtë drejtim dhe që mund të kontribuojnë realisht në zgjidhjen e një problemi kaq serioz.

Kontrasti është i madh: sot, sapo hapa email-in, gjeta një mesazh nga një person në Brazil, i cili kishte lexuar artikujt e mi shkencorë dhe po i përdorte njohuritë e mia në aktivitetin e tij profesional. Ai është Commercial Director – Industrials Minerals”, shkruan ajo duke thënë se ky email është një nga rastet e shumta ku i kërkohet ekspertizë për ndotjen nga metalet e rënda.

“Nuk është aspak e vështirë: mjafton që të interesuarit të kërkojnë në internet për të parë se kush merret me hulumtimin e ndotjes nga metalet e rënda, kryesisht nikelin dhe me tokat e pasura me nikel.

Do të ishte shumë e lehtë të gjenin ekspertizën e duhur dhe të merrnin një përgjigje të qartë për problemin e nikelit në pjeshkët e Divjakës, si dhe për zgjidhjet e mundshme që garantojnë të ardhmen e prodhimeve bujqësore në këtë zonë”, shkruan Profesoresha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT