BE mban fjalën, derdh 100 mln euro për tërmetin e 26 nëntorit

Bashkimi Europian ka alokuar në buxhetin 2020 100 milionë eurot e premtuara për Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Shuma në fjalë është në formë granti dhe përmes saj, BE thotë se do të mbështesë rehabilitimin e rrugëve dhe ndërtesave publike dhe do të mbështesë sipërmarrjen në rimëkëmbjen pas fatkeqësisë natyrore.

Vendimi mbërrin në një periudhë të vështirë edhe për vetë Bashkimin Europian, ku më shumë fonde po kërkohen për të luftuar pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi dhe efektet anësore të kësaj lufte në ekonominë e vendeve anëtare.

Kryeministri Edi Rama thotë se BE i qëndroi angazhimit të ndërmarrë në konferencën e donatorëve të zhvilluar më 17 shkurt në Bruksel.

“Një lajm i mirë që pavarësisht hallit të madh të përballimit të pasojave të kësaj lufte botërore, BE i qëndroi angazhimit të 17 shkurtit në Bruksel dhe 100 milionë eurot e premtuara nga Komisioni Europian për rindërtimin u alokuan në buxhetin e rishikuar të 2020”, shkruan kreu i Qeverisë.

Në konferencën e donatorëve Shqipërisë iu premtuan 1.15 mld euro, rreth 400 mln në formën e granteve dhe pjesa tjetër në formën e kredive të buta nga vendet vende dhe institucione financiare ndërkombëtare. Ndërkohë, dëmi i shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, sipas qeverisë shqiptare është rreth 1 mld euro.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT