“Gjysmën e shpirtit e keni këtu, por…”, përcillet për në Itali grupi i dytë i mjekëve për koronavirusin (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i përcolli mjekët dhe infermierët drejt Italisë duke u thënë se: “E di që gjysmën e shpirtit e keni këtu. Ne jemi këtu për ata, shkoni të qetë. Kthehuni shëndoshë e mirë, nuk është dëshirë, por detyrim për të gjithë ju.
Do të shkoni të punoni si të barabaratë me kolegët tuaj në Itali. Do doja t’ju përqafoja por duhet ruajtur distanca fizike” – tha ministrja teksa i përcolli në Rinas mjekë dhe infermierë.
“U falënderoj për atë që po bëni për misionin tonë të dytë humanitar në kuadër të solidaritetit që tashmë është pjesë, prioritet kyç kundër COVID-it, që na mban dhe bashkon. Ju falënderoj dhe jam e bindur se sikur na bëri krenarë grupi parë që nisëm në Itali në misionin e parë për të ndihmuar Italinë, ashtu edhe ju do të na bëni krenarë. Ju falënderoj në emër të kryeministrit.
Nëse mendoni se ajo që bëjmë është vetëm një pikë uji në oqean, por pa këtë pikë uji oqeani do të ishte më i vogël. Faleminderit. Ju do të luftoni me kolegët italianë në frontin e luftës kundër COVID. 30 të tjerët do të rikthehen, ju do të vijoni. Është momenti për të treguar shpresë dhe solidaritet për popullin mik italian që na ka mbështetur gjatë këtyre viteve dhe është më e pakta që mund të bëjmë. E treguan edhe më së fundmi me tërmetin” – tha ministrja Manastirliu.