Lleshaj: Shqipëria vend i sigurt, shanset për azil në Francë janë zero

Franca vlerëson faktin se ka pasur një ulje të numrit të kërkesave të shqiptarëve për azil gjatë vitit 2018. Gjatë një vizite të Ministrit të Brendshëm shqiptar, homologu Francës Castaner ka vlerësuar faktin se në vitin 2018 ka pasur 25% kërkesa më pak për azil sesa në vitin 2017. Pas takimeve në Francë, Ministri Lleshaj tha se vijon bashkëpunimi i dy vendeve për të reduktuar kërkesat për azil.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është takuar në Francë me homologun e tij Christophe Castaner. Temë e diskutimit mes dy Ministrave të Brendshëm ishte emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në Francë.

Loading...

Lleshaj tha se Shqipëria konsiderohet vendi i sigurt i origjinës, ndaj shanset e shqiptarëve për të marrë azil në Francë janë pothuajse zero.

“Me rëndësi të veçantë trajtuam edhe çështjen e emigracionit të paligjshëm. Konstatuam se kjo ende mbetet një çështje me rëndësi në marrëdhëniet midis dy palëve. Fatkeqësisht ekziston ende një numër shqiptarësh që aplikojnë pa shpresë, por gjithsesi aplikojnë për marrjen e azilit në Francë. Nga pala franceze dhe nga pala jonë u theksua që kushtet për kërkim azili në Francë nuk ekzistojnë. Shqipëria konsiderohet vend i origjinës së sigurt dhe shanset për marrjen e azilit në Francë janë pothuajse zero,”-tha Lleshaj në një njoftim për mediat.

Por fakti që ka një ulje të numrit të azilkërkuesve vlerësohet jo pak nga ana e shtetit francez. Ministri i Brendshëm, Castaner shkroi në Twitter pas takimin me Leshajn se në vitin 2018 ka pasur 25% kërkesa më pak për azil sesa në vitin 20017.

“Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të forcuar veprimin e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria në Francë. Në vitin 2018 numri i kërkesave për azil i shqiptarëve është zvogëluar me 25 %. Kjo prirje pritet të vazhdojë edhe në 2019-ën,”-shkroi ai.

Gjatë vizitës në Francë, ministri Lleshaj mori garancinë e autoriteteve për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e Integrimit europian. Kujtojmë që Franca është një nga vendet skeptike që vitin e kaluar ka hezituar të japë mbështetjen për procesin integrues të Shqipërisë.

Loading...
Back to top button