Ish-gjenerali serb i dënuar për krime lufte në Kosovë lirohet nga burgu para kohe, Vuçiç i gëzohet lajmit

Ish-gjenerali serb Nebojsa Pavkoviç, i cili u dënua në Hagë për krime të rënda lufte kundër civilëve gjatë luftës në Kosovë, do të lirohet para kohe për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore, ka njoftuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçić.
Vuçiç u tha gazetarëve serbë në New York se Qeveria e Serbisë, për shkak të “gjendjes jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore” të Pavkoviçit, kishte dërguar një kërkesë për lirimin e tij para kohe, e cila është pranuar.
“Pavkoviç do të shohë diellin e Serbisë së lirë, për të cilën ka luftuar heroikisht në qershor të vitit 1999”, tha Vuçiç duke shtuar se dëshiron “jetë të gjatë dhe shëndet më të mirë” për të.
Pavkoviç ka mbajtur shumë pozita në Ushtrinë Popullore të Jugosllavisë dhe që nga viti 1994 ishte vendosur në Korpusin e Prishtinës në Kosovë, të cilin e komandonte nga viti 1998. Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë u ngrit aktakuza nga Tribunali i Hagës në fund të vitit 2003, ndërsa në vitin 2005 u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Në vitin 2009 u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua me 22 vjet burg për deportime, zhvendosje të detyruar, vrasje, përndjekje dhe vepra të tjera çnjerëzore.